Finalistja dhe një nga pretendentet kryesore për fitoren e “Big Brother Albania VIP 3”, aktorja Egla Ceno, ka një karrierë të larmishme, të cilën jo të gjithë e dinë. Përveç suksesit në Shqipëri, Egla ka qenë pjesë e një prej serialeve më të njohur italianë, “Cento Vetrine” (100 Vitrinat).
Në një intervistë të dhënë gjashtë vite më parë për gazetën “Panorama”, Egla ka zbuluar disa detaje nga eksperienca e saj në këtë serial, ku ka interpretuar një rol të vogël. “Te ‘100 Vitrinat’ kam pasur një rol të vogël të një gruaje që kishte vrarë burrin.
Më shumë e gëzuar ndihej komshia ime, Caterina, në fakt, dhe e tregonte duke më ulëritur nga kopshti i saj: ‘Eglaa je te 100 Vitrinat!’”.
Egla ka jetuar për një periudhë të gjatë në Itali dhe është rikthyer në Shqipëri para 10 vjetësh. Gjatë qëndrimit të saj mbi 100-ditor në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania”, ky fakt nuk është vënë shumë në pah, dhe duket se Egla nuk ka folur shumë mbi këtë periudhë të rëndësishme të jetës së saj.
Ndërkohë, rrugëtimi i saj në “Big Brother VIP 3” ka qenë plot dinamika, duke e bërë atë një nga konkurrentet më të forta dhe të diskutueshme të këtij edicioni. Tani, mbetet të shihet nëse përvoja e saj e pasur dhe karizma do ta çojnë drejt fitores së madhe.