Hedhja e shortit për ndarjen e performancave të vendeve pjesëmarrëse në Festivalin Europian të Këngës u mbajt sot në qytetin e Lizbonës në Portugali, vend ky i cili organizon festivalin më të madh muzikor në Europë për këtë vit. Portugalia është fituesi i vjetshëm i Eurovizionit i cili u mbajt në Kiev të Ukrainës me këngën “Aamar perlos dois” të këngëtarit Salvador Sobral.
Ky shorte vendos nëse shtetet do të performojnë natën e pare apo të dytë gjysmë-finale si dhe nëse performojnë në pjesën e parë apo të dytë të secilës natë. Sipas rregullores, vendet që sponsorizojnë organizimin e Eurovision-it dhe vendi pritës kalojnë automatikisht në finalen e kompeticionit. Këto vende janë: Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Portugalia. Sipas shortit, këto vende kanë të drejtë të votojnë në njërën prej netëve gjysmë-finale.
Gjysmë-finale 1 (8 maj)
– Portugali
– Spanjë
– Mbretëri e Bashkuar
Gjysmë-finale 2 (10 maj)
– Francë
– Itali
– Gjermani
Gjatë gjysmë finales së parë të Eurovizion-it do të performojnë 19 shtete dhe në gjysmë finalen e dytë do të performojnë 18. Kjo ndarje është bërë për shkak të numrit të vendeve pjesëmarrëse. Ndarja e performancave të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Eurovizion është si më poshtë. (sipas rendit alfabetik)
Gjysmë-finale 1 (8 maj)
Gjysma e parë
– Shqipëri
– Azerbaxhan
– Bjellorusi
– Belgjikë
– Bullgari
– Republika Çeke
– Estoni
– Islandë
– Izrael
– Lituani
Gjysma e dytë
– Armeni
– Austri
– Kroaci
– Qipro
– Finland
– Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë
– Greqi
– Irlandë
– Zivcër
Gjysmë-finale 2 (10 maj)
Gjysma e parë
– Australi
– Danimarkë
– Norvegji
– Moldavi
– Rumani
– Rusi
– San Marino
– Serbi
– Hollandë
Gjysma e dytë
– Hungari
– Gjeorgji
– Maltë
– Mali i Zi
– Letoni
– Poloni
– Slloveni
– Suedi
– Ukrainë
Shqipëria performon në pjesën e parë të gjysmë finales së parë të Festivalit Europian të Këngës. Kjo radhitje përkthehet se vendi ynë do të performojë në datën 8 maj dhe do të mbajë numrin nga 1-10. Për t’u përcaktuar numri i saktë i radhitjes së performancave, do të mbahet një tjetër shorte i organizuar sërish nga EBU në një datë të papërcaktuar ende.
Kujtojmë se Shqipëria do të përfaqësohet në Eurovizion me këngën “Mall” të Eugent Bushpepës pas fitores së tij në Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH.