Të hënën e ardhshme do të rikthehet në ekran emisioni “Për’puthen”, që si shumë projekte të tjera këtë vit do të vijë me ndryshime.
Moderatorja Bora Zemani s’do të jetë më pjesë e këtij emisioni, siç pat lajmëruar edhe më herët. Ajo do të prezantojë “Dancing With the Stars” (flitet se në moderim do të jetë edhe Donaldi).
“Për’puthen” i është besuar Ori Nebiajt. Opinionisti Arjan Konomi do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij formati ndërsa krah tij do të vijë një tjetër personazh jo pak i njohur, për të dhënë opinionet e komentet e saj.
Kryefjala.com bën me dije se në rolin e opinionistes këtë vit do të jetë ish-banorja e “Big Brother Albania”, Neda Balluku.
Neda është larguar prej kohësh nga ekrani dhe i është përkushtuar familjes së saj, së bashku me partnerin, Ogrenin të cilin e njohu po në reality-show.
Neda dhe Ogreni janë prindër të dy djemve, Serzh dhe Zai.
Ish-banorja është diplomuar për Filozofi dhe ka publikuar librin e saj të parë “Archea”. Tashmë përveç pasioneve, Neda Balluku do t’i përkushtohet edhe emisionit “Për’puthen”.
Autorja Olsa Muhameti ka premtuar ndryshime të mëdha, që do t’i shohim në vazhdim me nisjen e emisionit nga e hëna.