Norvegjia do të jetë vendi i parë në botë që do të ndërpresi transmetimet FM të radios.
Stacionet e bandave FM do të fillojnë të ndërpriten në shumë pjesë të vendit duke filluar nga kjo javë, proces ky i cili sipas qeverisë do të përfundojë në fund të 2017.
Vendi nordik, do të kalojë nga FM në radio me transmetime digjitale, të titulluar DAB, e cila ofron më shumë kanale, pak shpenzime për transmetuesit si edhe një cilësi më të mirë.
“Arsyeja kryesore se pse Norvegjia është vendi i parë që do të vendosi teknologjinë e re të transmetimit është për shkak të relievit, si edhe shpërndarjes së popullsisë”, shprehet qeveria në deklaratën e saj. “Kjo bën që radiot Norvegjeze të shpenzojnë shumë para në krahasim me radiot e vendeve të tjera”.
Qeveria parashikon se kalimi i transmetimeve digjitale radiofonike do të kursejë rreth 23.5 milion $, afërsisht 200 milionë korona vendase, duke i lejuar mediat audio të investojnë më tepër në përmbajtjen e tyre.
Shteti Norvegjez shprehet se nuk do të ketë vende të humbura pune pas fikjes së bandave FM, në kohën kur do të transmetohet nëpërmjet DAB.
Por edhe pas fikjes, mendohet se disa radio të vogla lokale do të transmetojnë në frekuenca FM, pasi norvegjia nuk ka bandë AM.
Kalimi radiofonik nga angalogu në digjital vjen pas një plani të qeverisë prej rreth 10 vitesh.
Por ky kalim ka patur edhe kundërshtimet e veta. Sipas kritikëve rreth 2 milion makina nuk do të mundin të kenë akses në radio, duke cënuar gjithashtu edhe sigurinë rrugore. Lidhja e Radiove Lokale Norvegjeze “Norsk Lokalradioforbund” është shprehur se kostoja e blerjes së radiove të reja që suportojnë frekuencat DAB do të godiste konsumatorët.
Tabloidi Dagbladet, bën me dije se 2/3 e të anketuarëve në një sondazh për këtë temë, shprehin kundërshtimin e tyre për kalimin e detyrueshëm nga FM.
Shtete të tjera, përfshirë këtu edhe Mbretëria e Bashkuar, kanë në planifikim digjitalizimin e radios, kështu që kalimi i transmetimeve FM në DAB në Norvegji do të monitorohet më vëmëndje nga shumë shtete.
Marrë nga CNNMoney / Përshtati J. Kasaj