Bazuar ne versionin origjinal te Ibsen Martinez, një superproduksion i Telemundo Internacional pjese e NBC Universal, Televen (Venezuela) dhe Cadena 3 (Meksikë) me një kaste te njohur aktoresh kryesuar nga Karla Giraldo Andres Zuniga, Sabrina Seara, Eduardo Victoria, Alberto Zeni, Daniel Lugo, Flor Nuñez, Ivan Tamayo, Carlos Cruz, Kiara, Fedra Lopez, Sonia Villamizar, Claudia Lagatta, Luciana Silveira.
Nora Asevedo, si zakonisht, shkon të takojë të vëllanë në burg. Fati e do që gjatë asaj vizite të shpërthejë kaosi në burg, diçka që do të ndryshojë jetën e saj. Ajo merret peng nga Mingo Vidali, lideri i të burgosurve, që kërkon ta përdorë si karrem negociatash në konfliktin me Daniel Morosin, komisarin e rëndësishëm të burgjeve dhe të dashurin e vajzës. Gjatë konfliktit, Nora ndeshet me Feliks Vijamilin, një të burgosur misterioz me dhunti informatike brilante dhe mjeshtër të maskimit, i cili është përzgjedhur nga një pushtet i panjohur për t’u liruar nga burgu, në këmbim të kryerjes së një pune, për të cilën nuk ka dijeni.
Vijamili mahnitet nga vajza e re dhe i kundërvihet të gjitha fijeve të errëta që fshihen pas kësaj trazire, duke e marrë me vete në arratinë e tij, me qëllim që ta mbrojë dhe t’i shpëtojë asaj jetën. Nora tronditet nga ky i panjohur magjepsës. Edhe pse e ka të vështirë ta pranojë, ky episod e ka ndryshuar atë vetë. I nderuari dhe i përsosuri Daniel Moros e nuhat këtë edhe nis të vërë në zbatim makinacione të rrezikshme, i fiksuar pas dashurisë së vajzës. Lidhja nuk është më e njëjta.
Në të njëjtin qytet, por në një rang social shumë të ndryshëm, jetojnë edhe sipërmarrësi Otoniel Lobo dhe e bija, Melisa. Për Otonielin është një zhgënjim i dhimbshëm teksa sheh që trashëgimtarja e pasurisë së vet nuk i afrohet sadopak aftësive të tij si drejtues i suksesshëm. Ai e gjykon atë si mendjelehtë dhe të llastuar, ndërkohë që Melisa vuan me hidhërim mungesën e dashurisë nga i ati, pa arritur të zërë një pozicion të sajin. Tashmë që pleqëria po afron, Otonieli kërkon me ngulm të gjejë një tjetër vajzë të tijën, të cilën dikur e kishte mohuar dhe që është vetë Nora. Do të jetë ajo trashëgimtarja me gjakun e Lobove që do të drejtojë projekte ambicioze?
Nora nuk arrin ta ndajë mendjen nëse duhet të ecë përpara me jetën e saj apo t’i dorëzohet joshjes së keqbërësit zemërmirë me sjellje prej Robin Hudi, që e mishëron Feliks Vijamili.
Danieli ka qenë gjithmonë njeri i mirë dhe s’e meriton tradhtinë. Apo mos vallë komisari Moros nuk është ashtu siç e mendojnë të tjerët?
Të gjithë këta personazhe, por edhe shumë të tjerë, do të takohen e do të përballen mes tyre brenda ambienteve të kompanive “O’Lobo”, ku dy motra që s’e njohin njëra-tjetrën, do të dashurohen me të njëjtin burrë, me dikë që arratiset nga të dyja anët e ligjit dhe që është i vendosur të çnjollosë
emrin e vet dhe të jetë i denjë për Norën.
Një histori pushtetesh imponuese, që kërcënojnë të shtypin pa mëshirë një ndjenjë shpërthyese, që s’mund të fshihet.
Kasta e aktoreve:
Nora – Carla Giraldo (@carlagiraldoq)
Nora Asevedo është një femër e bukur, praktike dhe e vendosur. Me një temperament sa të ëmbël aq edhe të fortë, ajo kërkon me ngulm drejtësinë dhe përmirësimin e vetes. Nuk e mohon prejardhjen e saj modeste, por është e gatshme që ta lërë atë pas. E do familjen e vet, pavarësisht problemeve dhe misioni i saj është të bëhet sipërmarrëse dhe të jetë një femër e pavarur ekonomikisht që të ecë përpara në jetë.
Melisa – Sabrina Seara (@Seara_sabrina)
Afër të 30-tave në moshë, ajo është e bukur, vishet dhe e mban veten gjithmonë duke ndjekur modën. Është vajza e vetme e sipërmarrësit të pasur Otoniel Lobo. Megjithatë, Melisa është një pasanike mjerane, e mbërthyer në një trishtim që i buron nga brenda. Nuk është në lartësinë e duhur për të qenë trashëgimtare e bizneseve të begata familjare, ndërkohë që mundohet të drejtojë një program televiziv mbi gastronominë.
Feliks – Andrés Zuñiga (@Andres_ZM8)
Feliks Vijamil, pa “s” në mes, siç thotë ai vetë zakonisht, është një i burgosur 25-26 vjeçar, që dallon nga të tjerët nga mënyra e të sjellit dhe qëndrimi. Ai është një mashtrues i sofistikuar, që punon me zgjuarsi sipërore në fushën informatike, është joshës dhe mjeshtër i fjalës, veti që e bëjnë zhvatësin e përsosur.
Daniel Moros – Eduardo Victoria (@lalovictoria)
Komisar i Burgjeve, me një karrierë tejet prestigjioze. Profesionist i përkushtuar, nga familje e mirë, i ve me dy vajza adoleshente. Një 40 vjeçar që çdo femër do ta konsideronte si kandidatin ideal. Edhe pse në hijen e tij fshihen disa sekrete.
Aurelio Sotolongo – Alberto Zeni (@AlbertoZeniOF)
Drejtor i përgjithshëm i kanalit televiziv kabllor “LOBOCANAL”, post të cilin e arrin pa kokëçarje dhe në mënyrë të paskrupullt, duke shfrytëzuar disa femra të cilët kërkojnë me ngulm të bëjnë karrierë. Aurelio është i ri, vetëm 27 vjeç, por e fsheh më së miri moshën. Pamja e tij fizike, mënyra korrekte e të sjellit dhe gardëroba moderne, thuajse arrijnë të mbulojnë diçka të papërpunuar që e tradhton. Kombinim ky që i ka shërbyer për të qenë një joshës i lindur.
Otoniel Lobo – Daniel Lugo (@NoraTelenovela)
Një sipërmarrës i pasur që merret me transportin ushqimor,viktimë e luksit të tepërt dhe e një vetëdijeje akute e të paepur për biznes. Është kapitalist i vërtetë, edhe pse ai vetë shpesh e ka të vështirë ta pranojë. Otonielit i ka ecur mbarë, shumë mbarë. Arriti të zgjerojë ndërmarrjen e mesme “O’Lobo”, të cilën e trashëgoi nga i ati, duke e shtrirë edhe në degë të tjera të biznesit, siç është hapja e një kanali televiziv kabllor.
Belen Rohas – Flor Núñez (@FlorNunezMiami)
Nëna e Norës, së motrës dhe dy vëllezërve të saj. Grua pak më shumë se të dyzetat në moshë, me një jetë të ndërlikuar, të mbushur me skamje, vese dhe dashuri të prishura. Një luftëtare që vendos të dorëzohet, pas një tragjedie familjare, duke rënë sërish pre e varësisë nga alkooli. Fanatizmi i saj karshi besimit fetar do ta ndihmojë t’i bëjë ballë fatit të vështirë.
Mingo – Iván Tamayo (@IvanTamayo73)
Lider i të burgosurve në burgun e Santa Rozës. Me njohje që e lidhin me pushtetin misterioz, të cilit ai i bindet verbërisht dhe i druhet, për arsye që të tjerët nuk i dinë. Një burrë mbi të dyzetat, trupmadh, ekspresiv, i veçantë, harbut, i dhunshëm dhe i përgjakshëm. Por në të njëjtën kohë edhe dinak, madje edhe me diçka filozofike në mënyrën e të sjellit e të folurit.
Irina Kasado – Claudia La Gatta (@ClaudiaLaGatta)
Është aspekti i dukshëm i një pushteti që nuk e njohim, por që vë në lëvizje fije të padukshme. Avokate, e bija e një avokateje penaliste të njohur për procedurat e kryera në limitet e ligjshmërisë. Si e ëma, edhe e bija. Pragmatiste, e aftë të veprojë pa mëshirë për të arritur synimet e veta.
Flor Elena – Luciana Silveyra (@lucianasilveyra)
Kunata e Daniel Moros, mbi të tridhjetat në moshë, është një grua e pashme, e gjatë, elegante, me stil dhe me prejardhje të pasur. Avokate që nuk e ushtron profesionin, të cilin e la pas dore bashkë me synimet për jetën, me qëllim që të kujdesej për të kunatin e të mbesat, pas vdekjes aksidentale të së motrës, Inesit.
Ronald – Alexander Leterni (@Aleterni)
Vëllai i vogël i Norës, 19 vjeç. Një djalosh i pashëm, me stil, me sy jeshilë shumë të veçantë që e bëjnë të tërheqë vëmendjen e të gjitha vajzave të lagjes. Merret me balet klasik, në një kontekst social që e paragjykon për këtë dhe që nuk e kupton prirjen e tij artistike. Ky vendim kthehet në një betejë të vazhdueshme, gjatë së cilës djaloshi mundohet të gjejë mënyra për të mos u mposhtur nga realiteti i varfër në të cilin jeton.
Minesota – Oriana Colmenares (@oriana1801)
Motra e Norës, 20 vjeç. Një femër elegante, mahnitëse, spektakolare dhe e vetëdijshme për joshjen e saj. E dhënë pas botës së modës, ajo i ka vënë qëllim vetes që të bëjë karrierë në këtë fushë, edhe pse nuk është aspak mendjelehtë dhe shquhet për një inteligjencë të lindur, e cila e ndihmon të kapërcejë vështirësitë. E shoqërueshme, familjare, simpatike, e njeh e gjithë lagjja dhe nuk ka paragjykime dhe flet me këdo.
Viki – Dayra Lambis (@dayralambis)
Inspektore policie, shoqe me Danielin, ndërkohë që mes të dyve ndihet një dashuri platonike. Rreth 28 vjeçe, ajo është një zeshkane e pashme dhe tërheqëse, e veshur me kurajë dhe profesionalizëm në karakterin e vet. Drejton aksione të guximshme, si për shembull, shuarja e trazirave në burg, por njëherazi mund të merret edhe me punë më të mprehta, si hetimi, për shembull.
Mercedes – Sabrina Salvador (@sabrinasalvador)
Ish e dashura e Feliksit, u ndanë kur ai u fut në burg, duke qenë se familja e saj e ndaloi të vazhdonte romancën me një të burgosur. E dashuruar marrëzisht pas Feliksit, ajo arratiset nga shtëpa për t’u takuar sërish me të dhe e manipulon duke shfrytëzuar faktin që ka hequr dorë nga familja e saj për të.