Mbrëmjen e djeshme u shpallën nomiminet për një prej eventeve më të rëndësishme të kinemasë dhe ekranit, Golden Globes 2021 dhe duket se Asosiacioni i Gazetarëve të Huaj, që është juria e këtij eventi, vendosëm që këtë vit të turpëronin veten. Kështu të paktën pretendon publiku.
Lista e nominimeve, që mund ta shihni të plotë këtu, tregon se filmi më i vlerësuar i vitit është “Mank” ndërsa seriali është “The Crown”, me 6 nominime secili. Ndoshta zgjedhje të drejta, edhe pse juria mesa duket nuk e ka parë akoma performancën e Michaela Coel në “I May Destroy You”, e cila është përjashtuar nga të 12 kategoritë përkatëse këtë vit.
Pjesë e nomiminimeve janë edhe projekte të HBO-së, si për shembull “The Undoing”, por gjithsesi lënia jashtë e “I May Destroy You”, i cili ka qenë seriali më i vlerësuar nga kritikët i kësaj platforme në 2020, ngre shumë pikëpyetje. Sidomos për faktin që trajton një temë delikate si ajo e sulmit dhe abuzimit seksual.
Nga ana tjetër akademia e Golden Globes ka gjetur kohën për të parë dhe vlerësuar një nga shfaqjet televizive më “limonadë” të vitit, “Emily in Paris”. Ky serial ka marrë dy nomimine, një për “Komedinë më të mirë” edhe pse nuk bëri njeri për të qeshur dhe “Aktorja më e mirë” për Lily Collins, e cila luane rolin e një influencerje Instagram-i.
Kjo është cilësuar si një “shaka e keqe” nga publiku dhe fansat e ekranit të vogël, po ashtu edhe për faktin se jashtë listës tashmë shumë të komentuar janë lënë edhe emra aktorësh si Issa Rae tek “Insecure”, Sandra Oh e “Killing Eve” dhe Zendaya për punën tek “Malcolm and Marie”.
Gjithsesi lajmi i mirë është që janë vlerësuar John Boyega për “Small Axe”, vërtetë një performancë e mirë, Viola Davis dhe i ndjeri Chadwik Boseman për filmin “Ma Rainey’s Black Bottom” dhe Ana Taylor-Joy për “Queen’s Gambit”. Gjithashtu është vlerësuar edhe Dev Patel për “The Personal History of David Copperfield”.
Megjithatë, seriozisht? “Emily in Paris”?