Reperi i njohur Noizy ka reaguar publikisht pas shpalljes së tij në kërkim nga Policia e Kosovës për një sherr të ndodhur në një club në Pejë. Në një letër publike të postuar në Instagram, Noizy ka deklaruar se nuk është në arrati dhe se po ndjek rrugën ligjore për të zgjidhur situatën, të cilën e konsideron si një “kurth padrejtësie”.
Në letër, reperi shpreh keqardhjen për shqetësimin që ka shkaktuar dhe garanton se po bashkëpunon me avokatët për të zgjidhur çështjen në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Letra e Plotë e Noizy-t
“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero! Dua ta nis këtë reagim me një ndjesë të thellë ndaj atyre që janë shqetësuar nga reagimi im. Kjo ka ardhur si pasojë e indinjatës për një kallëzim të rremë e të padrejtë ndaj meje, pasi kurrë nuk jam përballur me situata të tilla e për pasojë fatkeqësisht nuk kam reaguar në nivelin që do të doja. Edhe njëherë, ndjesë.
Mirëkuptoj edhe median që bën punën e saj dhe i kërkoj ndjesë nëse janë keqkuptuar nga reagimi im i nxituar. Sa më lart dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrësesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë.
Bashkë më studion e avokatisë të kontraktuar nga unë, do kontribuojmë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj meje dhe sqaruar këtë ngjarje ku unë jam viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk kam asnjë lidhje. Duke ju falenderuar për mirëkuptimin e përkrahjen dhe kërkuar ndjesë për këtë situatë të shëmtuar ku më kanë përfshirë.
Rigelsi.”
Noizy gjithashtu bëri të ditur se sonte do të jetë në dy clube për të performuar, duke treguar kështu se vazhdon të jetë aktiv në aktivitetet e tij artistike.
Reagime dhe Përkrahje nga Fansat
Postimi i Noizy-t ka marrë shumë reagime nga fansat dhe ndjekësit e tij, të cilët i kanë shprehur mbështetjen e tyre në këtë situatë të vështirë. Shumë prej tyre kanë komentuar duke e inkurajuar reperin dhe duke i uruar suksese në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Noizy ka zgjedhur të thyejë heshtjen dhe të shprehë qëndrimin e tij publikisht përballë akuzave që rëndojnë mbi të. Ai ka bërë të qartë se është i vendosur të ndjekë rrugën ligjore dhe të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për të sqaruar situatën dhe për të mbrojtur integritetin e tij.