Së shpejti në Top Channel do të nis transmetimin seriali më i kushtueshëm shqiptar SNOB.
Seriali trajton hendekun e thellë të dy botëve hendeku i thellë dy botëve në Shqipërinë e këtyre viteve, ndarje që përcillet përmes paragjykimeve, intrigave, dramës, pasionit dhe ankthit.
Ky prodhim televiziv, ndër të pakët seriale të realizuar në gjuhën Shqipe, vjen si prodhim i “Anabel Entertainment” në bashkëpunim me kompaninë kinematografike “Nilor Film” duke mbledhur artistë të njohur të botës së kinematografisë shqiptare dhe emra të rinj premtues.
Por le të njihemi më në detaj me emrat e aktorëve dhe personazhet që ata do të luajnë në serial.
Romir Zalla (Iliri)
Romir Zalla është një prej aktorëve më aktivë dhe më të kërkuar si në kinema, ashtu edhe në skenë dhe TV. CV-ja e tij numëron me dhjetëra role të rëndësishme në teatër në shfaqje si “Rinoceronti”, “Këngëtarja tullace”, “Menaxheria e Qelqtë” “Dikush që do të kujdeset për mua”, “Klani i të divorcuarve”, “Ëndërr e një nate vere”, “Një jetë me ty” etj
Në kinema: “Mëngë këmishe”, “Gjallë”, “Komuna e Parisit” “Lindje Perëndim Lindje”; “Lulebore” etj.
Në TV, Zalla ka punuar si prapa skene si regjisor dhe producent, ashtu edhe si aktor, ku fitoi popullaritet me stand-upet e tij (të parat të këtij lloji në Shqipëri) në spektaklin e humorit “Portokalli” si Llambi, Endri, Psikologu, Agushi, Shekspirianj etj. Përpara se te bëhej pjesë e kastit të $NOB, Zalla përfundoi xhirimet për një tjetër serial “Katrori i Pushtetit”, ku luan një prej roleve kryesore.
Iliri i ka kushtuar gjithë jetën e tij krijimit dhe ngritjes së një grupi të madh biznesesh, që gradualisht u bë grupi më i fuqishëm në vend. I vetmi problem është që Iliri nuk ka qënë pronar në asnjë nga këto biznese dhe si CEO, ai prapë nuk gëzon të njëjta të drejta si pronarët. Kjo s’ka përbërë asnjëherë problem deri në momentin, kur ai filloi ta ndjente që nuk ishte më njeriu më i besuar i pronarit.
Sokol Angjeli – Kristaqi
Sokol Angjeli ka mbi supe rreth 40 vite eksperiencë në teatër dhe kinema. Në kinema ka spikatur me role në filma të njohur si “Perëndim- Lindje”, “Kur xhirohej një film” “Në pyjet me dëborë ka jetë” “Amaneti” “Një baba tepër” “Shoqja nga fshati” , “Hije”, “Gjurmët” etj. Në teatër numëron me dhjetëra role në shfaqje si “Ëndrra e një nate vere”, “Xhelatët”, “Korbi i Bardhë”, “Rrëshajat”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Karnavalet e Korçës” etj.
Si regjisor teatri, Angjeli ka vënë në skenë një sërë shfaqjesh ku edhe është nderuar me çmim të parë për dramën “Flaka e Janarit”.
Mos e pyesni Kristaqin si e bëri milionin e parë, se llogaritë i dalin vetëm atij. Një ish-drejtor krimesh, sot Kristaq Pano është një prej ndërtuesve më të fuqishëm në vend. Por e kaluara nuk harrohet lehtë. Sado të mundohet ta shmangë, mëkatet e tij i vuan e bija.
Violeta Banushi (Trebicka) – Lili
Pedagoge në Universitetin e Arteve dhe një prej aktoreve më spikatura të skenës dhe ekranit, Banushi ka interpretuar në dhjetëra role. Në teatër: “Elektra”, “Arturo Ui”, “Kujtesa e Ujit” “Tramvaj me emrin Dëshirë”, “Lojë martese” etj. Në kinema “Letrat e erës”, “ Ora e Bushit” “Amanet” etj.
Lili, një grua e ve është goditur nga një tragjedi e madhe, vrasja e të birit, një humbje të cilën ajo e ka shumë të vështirë ta rikuperojë. Hija e tij e shoqëron kudo dhe i shton frikën për jetën dhe zgjedhjet e vajzës së saj të vetme, frikë që shpesh bëhet gati mbytëse dhe e padrejtë për të bijën.
Myzafer Zifla – Eduardi
Myzafer Zifla, aktor i Teatrit Kombëtar ka një eksperiencë tejet të suksesshme si në skenë ashtu edhe në kinema me role të rëndësishme në filma si: “Dora e Ngrohte” , “Guret e shtepise sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”; “Mysafirët”, “Amaneti” etj
Eduard Andoni, një gjyqtar i njohur është në kohën e tij më të vështirë. Vetingun nuk e kaloi, Amerika e ka vendosur në listën e zezë dhe si të mos mjaftonin këto, familja po i shpërbëhet.
Piro Qirjo – Zef
Piro Qirjo rikthehet në ekran pas një mungese të gjatë. Ai u bë i njohur pas viteve 90te me rolin e tij të Gjorg Berisha në filmin “Të paftuarit” një adaptimi i romanit të Ismail Kadaresë “Prilli i thyer”. Ai ka interpretuar në filma si “Kush vdes në këmbë”, “Rikostruksioni”, “Kronikë e një nate” si edhe ka qënë regjisor i një numër dokumentaresh shkencorë dhe socialë.
Zefi, deputet i veriut dhe një njeri me influencë në politikë dhe biznes, di se si t’i luajë shumë mirë gurët me të gjitha kahet politike dhe klasat. Por këto lojëra të zgjuara, bëhen problem, kur me dashje ai prek dhe dëmton gjakun e tij. Të bësh kompromis mund të të japë fuqi dhe para, por të bësh kompromis me integritetin, rrezikon të të çojë drejt rrënimit shpirtëror.
Eni Jani – Eva
Aktorja Eni Jani ka mbetur gjatë në kujtesën e publikut me rolin e saj të Erës në serialin më të suksesshëm të pas-viteve 90’ “Njerëz dhe Fate”. Pas serialit, Jani është aktivizuar me një sërë shfaqjesh teatrale si “10 Vjet Martesë” “Historia e kopshtit zoologjik”, “Shtrigat e Salemit” etj. Aktualisht aktorja punon edhe si kryeredaktore pranë RTSH2.
Eva është gruaja e një gjyqtari, nënë e dy fëmijëve dhe një shpirt i lirë, e cila kërkon të gjejë dashurinë dhe paqen aq të munguar në martesën e saj. Por dëshira për të ndjekur zemrën i rrezikon reputacionin e familjes dhe marrëdhënien me të bijën.
Aleks Seitaj – Luis
Aleksi është një prej aktorëve më të talentuar të brezit të tij, i njohur kryesisht në zhanrin komedi me intepretime në “Portokalli” apo në blogun e tij personal. Përpara se të bëhej pjesë e $NOB, Aleksi sapo kishte përfunduar xhirimet e filmit me metrazh të gjatë “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” ku luan rolin kryesor (Zylon).
Luisi e di çdo të thotë të jesh minorancë. Ai është rritur i paragjykuar, i përbuzur dhe i distancuar dhe çdo dhimbje ja ka bërë koracën më të fortë. Po aq të fortë ka dhe mllefin ndaj atyre që ai i fajëson për dramat në jetën e tij. Gjithçka çfarë Luisi kërkon është të pranohet, por mënyra si e kërkon e vendos në situata të pafavorshme.
Gent Disha – Albani
Këngëtar/ Student aktrimi
Genti, fitues i konkursit muzikor “Jeho” në Top Channel, ra në sy të produksionit nga videot e tij të interpretimeve live në Youtube.
Jeta e mësoi që fëmijë Albanin të mos i besonte njeriu. I rritur në një familje relativisht të varfër dhe i apasionuar pas boksit, ai i provoi në kurriz gënjeshtrat dhe padrejtësitë dhe kuptoi se i pafuqishëm, do ta ketë gjithmonë luftën e humbur ndaj më të pasurve/fortëve. Ndaj për Albanin e zhgënjyer, ka vetëm një arsye për të mbijetuar: Duke u fuqizuar financiarisht. Mënyra për ta bërë këtë nuk është e ligjshme, natyrisht.
Olta Beqiri – Kristela
Kur familja e la në baltë dhe ja preu ëndrrën në mes, Kristela e kuptoi se që gjërat të bëhen siç ajo do, duhet që të ketë kontroll të plotë mbi to. Por çfarë do Kristela, jane ambicie shumë më të mëdha se të moshatarëve të saj dhe ajo është gati të sakrifikoj gjithçka, qoftë edhe njerëz të dashur për të arritur synimet.
Iva Çuni – Ines
Studente stomatologjie
Mamaja e Inesit ka shërbyer prej vitesh në shtëpinë e një familjeje të pasur dhe Ines u rrit me vajzën e kësaj familjeje. Të dyja mund të ishin shoqe shumë të mira, nëse Inesi nuk do kujtohej vazhdimisht për ndryshimin ekonomik dhe klasor. Çdo gjë ka një pikë vlimi dhe Ines ka të sajën, që mund të nxjerrë nē pah shumë sekrete e të dëmtojë ekuilibra.
Brarend Akçiu – Bojken
Student aktrimi – UET
Bojkenit, djalit të vogël dhe të vetëm të një prej familjeve më të pasura në Shqipëri, çdo gjë i është servirur në pjatancë argjendi dhe nuk e ka idenë se si është të mundohesh e të punosh për të mbajtur familjen. Me shumë miq e servilë rrotull, Bojkeni është një djalë i mirë, i thjeshtë dhe i sjellshëm, për aq kohë sa interesat e tij dhe të familjes nuk cënohen. Për aq kohë thamë…
Altea Lazaj – Sara
Studente regjie në Fakultetin e Artit Skenik
Sara ka ëndrra shumë të thjeshta: Ajo do të bëhet fashion designer dhe të bëjë krenarë prindërit e saj emigrantë në Greqi. E ardhur në Tiranë nga një qytezë, Sara ishte e lumtur në botën e saj të vogël artistike ku i mjaftonin vetëm letrat, lapsat dhe një makinë qepëse. Por fati do ta përplasë me botën e milionerëve, arrogancën e njerëzve që mendojnë se janë më lart se ajo dhe paragjykimet. Dilema e Sarës është të ndjekë zemrën apo të qëndrojë siç ishte?
Elios Shuli – Joan
Student regjie në Fakultetin e Artit Skenik
Të qënurit “nipi i oligarkut” në vend ta ketë ndihmuar, duket se vetëm i ka sjellë probleme Joanit. Vajzat e duan për atë që ka dhe jo atë që është, ai nuk është mik i ngushtë i askujt, jeton nën hijen e çunit të xhaxhait, që është më popullor se ai dhe përfundon padrejtësisht në telashe, vetëm sepse ai nuk bën dot rezistencë, nga frika se mos humb statusin që ka.
Megli Haskaj (Xhesika) është studente për Marketing
Xhesikës nuk i mungon asgjë materiale. Ajo është “drita e syrit” e babait të saj, një ndërtues i fuqishëm. Po kaq është çfarë ajo ka dhe çfarë ai mund t’i japë. E braktisur nga e êma, me një të kaluar të trishtë, Xhesika është një vajzë e thyeshme, e rritur me frikën e braktisjes dhe që kërkon dashuri dhe aprovim në vendet e gabuara.
Josif Sina (Endi) vjen nga Franca ku ka studiuar për aktrim.
Endi është një djalë i turbulluar që e gjen prehjen tek droga dhe dashuritë e pamundura. Në mungesë të nënës së ndarë nga jeta, babai është e vetmja “kishë ku falet” edhe kur i ati, një njeri biznesi padashje tenton ta keqpërdorë, duke e përfshirë në situata shumë delikatë që i rrezikojnë jetën dhe miqtë e tij më të afërt.
Ketjona Pecnikaj (Tesa) është aktore në Teatrin “Metropol”
Tesa është rritur duke kuptuar se puna e ndershme nuk ta bën detyrimisht gjumin e qetë. E goditur nga dy tragjedi (Vdekja e të atit dhe vrasja e vëllait) ajo çfarë Tesa do është të kujdeset për njerëzit që ajo do më shumë, nënën, gjyshen dhe të dashurin e saj, por në emër të kësaj përkujdesjeje, ajo e përfshin veten në aventura që i rrezikojnë jetën dhe ëndrrat.
Todi Kasemi është student në Universitetin e Arteve dega aktrim dhe në SNOB është Franci.
I rritur i pasur, Franci ka parë se si fitohet leku në familjen e tij me intriga e pazare. Ai kërkon të shkëputet nga hija e të atit të tij, një politikan i njohur, por nuk e di se si ta kërkojë këtë pavarësi, sepse gjithçka çfarë ka e di, është shumë e lidhur me zgjedhjet e të atit.