Në edicionin e VI të ‘The Voice of Albania’, profesionalizmi nuk njeh kufij! Një pjesë shumë e rëndësishme e spektaklit janë dhe Vocal Coach-ët, të cilët bëjnë një punë të palodhur me konkurrentët.
Një spektakël i këtyre përmasave, sigurisht duhet të punojë me më të mirët, prandaj dhe këtij edicioni nuk kishte si ti mungonte Kamela islamaj. Ndër vite ka treguar se është një pjesë e pandarë e ‘The Voice of Albania’, duke shoqëruar konkurrentët nga zbulimi i tyre, deri në netët live. E pikasur në një “Talent Show”, ditët e sotme Kamela mahnit me zërin e saj duke kënduar kryesisht live, muzikën të cilën e përcjell edhe në shtëpitë tona nëpërmjet ekranit të Top Channel. Herë pas here për publikun, ajo rikthehet dhe me pjesëmarrjet në festivale të ndryshme mjaft të rëndësishme në vend.
Gent Myftaraj, nje muzikant, kompozitor dhe tekstshkrues i njohur në vend, autor i disa këngëve të kthyera në hit dhe pjesë e grupeve të para shqiptare si kitarrist, i bashkohet stafit të ‘The Voice of Albania’ për të dhuruar nga eksperienca dhe profesionalizmi i tij, dozat e duhura edukative gjeneratës së re të këngëtarëve që do të vijnë.
Eugent Bushpepa, zë i njohur i skenës në Shqipëri nisi karrierën e tij televizive në ekranin e Top Channel në vitin 2006 dhe dalëngadalë ndoqi rrugën e duhur për arritjen e suksesit. Kritikët e muzikës vlerësojnë zërin e tij si shumë të bukur dhe të fuqishëm. Publiku shqiptar e vlerëson Gentin si një ndër artistët më të mirë në vend të muzikës live, gjë e cila vërtetohet lehtë duke parë numrin e personave, të cilët zgjedhin ta dëgjojnë fundjavave teksa performon në baret e kryeqytetit.
Merland Kademi, pjesë e ekranit të Top Channel prej më shumë se trembëdhjetë vitesh tashmë, gjithashtu ka qënë një pjesë e pandashme e ‘The Voice of Albania’. Rrugëtimi i tij me muzikën ka nisur më herët me grupin “Ilirjanët”, me të cilët fitoi “Çmimin e të Rinjve” në vitin 1996 tek Festivali i Këngës në RTSH, duke vendosur bindshëm themelet e karrierës së tij si profesionist. Kohë më vonë, ai angazhohet në shfaqje musical si “Romeo dhe Zhuljeta” dhe “Notre Dame de Paris”, ku sigurisht afirmohet për të disatën here në fushën e artit vendas.