Albumi EP i Elhaida Danit titullohet “Zanin”, sepse “është ajo gjë që më përfaqëson në çdo qelizë, në çdo vend dhe kohë”, u shpreh këngëtarja kur prezantoi për herë të parë albumin mes miqve dhe bashkëpunëtorëve në sallën e koncerteve në Teatrin e Operas dhe Baletit.
“Zanin”, një bashkëpunim me Elgit Dodën, Kledi Bahitin dhe Alban Kondin, sjell Elhaidën njësoj – pasi në disa këngë i qëndron besnike stilit të saj – por edhe ndryshe, pasi vihet re një qasje për të eksperimentuar me pamjen dhe këngët.
Albumi përmban pesë këngë, të gjitha të shoqëruara me klipe, për të cilat është kujdesur Ajola Xoxa.
Këngët “Hajmali” dhe “Jam betu” qëndrojnë te meloditë ritmike, ku në të parën Elhaida shfaqet në mesin e një grupi të rinjsh që kërcejnë,
ndërsa në të dytën kërcen e vetme mbi një xham të tejdukshëm, në mesin e një hapësire boshe.
Në të njëjtin stil me “Jam betu” është realizuar edhe klipi i këngës “Amore”, por këtë herë Elhaida qëndron në mes të një pellgu ujor. Këtu vihet re dëshira për të eksperimentuar disi me stilin e të kënduarit dhe look-un.
E njohur për baladat e saj, nuk kishin si të mungonin edhe në këtë album, sjellë në “Zanin” dhe “Kënga jonë”.
Pavarësisht ndonjë kritike, në pjesën më të madhe të komenteve në YouTube, “Zanin” është pritur shumë mirë nga publiku.