Të hënën janë konfirmuar pesë raste të reja me koronavirus në Fushë-Kosovë. Zëdhënësi i komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, ka njoftuar se të pesë raste janë te një familje që jeton në Bresje. Në mesin e të infektuarve është edhe një fëmijë disa muajsh.
“Nga mbrëmë ne zyrtarisht jemi të informuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për 5 raste të reja në komunën e Fushë-Kosovës, bëhet fjalë për një familje. Janë të gjithë anëtarë të një familje të cilët jetojnë në Fushë-Kosovë, por që janë raste kontakti me familjarët e tyre nga komuna e Vushtrrisë. Në bazë të informacioneve të fundit që kemi dhe kontakteve që kemi pasur nga sot në mëngjes gjendja e tyre shëndetësore është e mire, ata vazhdojnë të jenë vetëizoluar dhe sigurisht që do jenë çdo herë të mbikëqyrur nga organet kompetente. Janë pesë anëtarë të familjes mosha e tyre bashkëshortët janë të vitit 1980 dhe 85, dhe fëmijët janë 2010, 2015 dhe 2020. Si shtab emergjent i krizës nuk e kemi paraparë që të izolohet ajo zonë atje sepse e kemi nën kontroll të plotë atë zonë e vëzhgojmë atje por që do i përcjellim rrethanat, dhe në bazë të rrethanave sigurisht edhe do marrim hapat konkret”, Topalli për “Kosova Press”.