Njё shkrim nga Shirla Preni
Situata në të cilën po jetojmë nuk është e zakontë. Po jetojmë në një kohë pandemie, dhe po luftojmë dita ditës me një armik të padukshëm. Lufta me të nuk është asapk e thjeshtë. Dita ditës po përballemi me stresorët. Asgjë nuk është e sigurtë, askush nuk është imun ndaj këtij fenomeni.
Të jetuarit në këtë kohë pandemie është një krizë epidemiologjike dhe psikologjike. Shumë njerëz janë të dëshpëruar për shkak të ndikimit të menjëhershëm shëndetësor të virusit dhe pasojat e izolimit. Shumë prej njerëzve kanë frikë nga vdekja apo humbja e të dashurve. Miliona njerëz po përballen me probleme ekonomike. Dezinformimi apo thashethemet për virusin dhe pasiguria për të ardhmen janë një nga burimet e shqetësimit. Të gjithë këto stresorë kanë potencialin të ndikojnë në shëndetin mendor dhe mirëqënien e individit.
Sipas hulumtimeve situata në të cilën po jetojmë ka rritur shqetësimin psikologjik në popullatën e përgjithshme si edhe tek grupet e rriskut. Distancimi fizik dhe ai social, ndryshimet ekonomike ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor. Hultumtimet mbi ndikimin e traumave thonë se pandemia mund të ndikojë vecanërisht në shëndetin mendor të grupeve të margjinalizuara, të cilët kanë më pak akses në burimet socio ekonomike dhe në burimet e suportit social.
Personat me aftësi të kufizuar raportojnë nivele të larta të izolimit shoqëror, ata mund të përjetojnë ndjenja të intensifikuara të vetmisë në përgjigje të distancimit social. Izolimi social dhe ndjenjat e vetmisë mund të çojnë në rritjen e sëmundjeve të zemrës.
Politikat rreth vlerësimit të kujdesit mjekësor mund të intensifikojnë qëndrimet diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuar. Kjo e fundit mund të shtojë ankthin dhe frikën për të kërkuar kujdes mjekësor.
Cfarë është autizmi?
Autizmi është çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut , pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik. Ky çrregullim mund të shfaqet në çdo moshë por zakonisht simptomat shfaqen në dy vitet e para të jetës. Sipas Manualit Diagnostifikues dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-V) njerëzit me ASD kanë vështirësi në komunikim dhe bashkëveprim me njerëzit, sjellje të përsëritura si edhe interes të kufizuar. Simptomat ndikojnë në aftësinë e personit për të funksionuar ne shkollë, punë apo sfera të tjera të jetës.
Historiku jetësor
Niko një djalë 20 vjec ka lindur në Athinë, Greqi. Ai është diagnostifikuar me autizëm në moshën 4,5 vjeçare. Në atë kohë fenomeni i autizmit ishte akoma i pa dëgjuar. Në moshën 8 vjecare Niko nis rrugëtimin e tij në arsim dhe nis kështu klasën e parë. Nëna e Nikos Znj.Egla ka bërë një punë fantastike me Nikon duke i përkushtuar kështu gjithë qënien e saj për integrimin sa më të mirë në shoqëri të Nikos. Një gur themeli për Nikon ka qenë mësuesja e tij e fillores e cila hodhi themelet e para tek ai. Në klasën e gjashtë Niko vazhdoi shkollën tek Liceu Artistik për kitarë dhe sot ai është kandidat i Akademisë së Arteve.
Një ditë përgjatë pandemisë me Nikon
Përgjatë pandemisë si jeta e gjithkujtë edhe jetesa e Nikos ndryshoi. Nëna e Nikos është munduar që gjatë gjithë kohës Nikon ta mbajë të angazhuar me aktivitete të ndryshme për të mos e bërë qëndrimin e tyre në shtëpi të mërzitshëm. Së bashku ato këndonin dhe kërcenin, merreshin me sport në shtëpi si edhe praktikonin kitaren pasi Niko studion për kitarë.
Intervistë me Drejtoreshën Ekzekutive të Klubit Kombëtar të Prindërve me fëmijë me spektër të autizmit, Znj.Egla Bajrami
Si ja keni shpjeguar fëmijës tuaj situatën e pandemisë?
Si të gjihë në momentin qe e morëm vesh ishte e vështirë, por Niko i percepton dhe kupton gjërat. Fillimisht e trajtuam si një grip dhe ishte i nevojshëm qëndrimi në shtëpi për aq kohë sa të vijë një urdhër i dytë. Kështu Niko tha se tani do të nisnin pushimet dhe e mori me shumë sportivitet.
Cfarë ka ndryshuar në jetën e Nikos?
Gjatë karantinës e vetmja gjë që ndryshoi ishte qëndrimi i shpeshtë i Nikos në internet.
A ka qenë për Nikon e vështirë përshtatja në një model tjetër jetese, tashmë tërësisht ndryshe nga ajo më parë?
Nuk ishte e vështirë. Niko është rritur në mënyrë të tillë që nëse dicka i shpjegohet se i bën keq ai do të bëjë atë që duhet. Përshembull ka dëgjuar para disa kohësh që të bën shumë mirë të pish dy deri tre litra ujë në ditë dhe ai që atëherë pi aq litra në ditë pasi e ka dëgjuar nga mjeku.
Përgjatë izolimit a ka shfaqur Niko nota agresiviteti për shkak të izolimit? Dhe nëse po si keni reagur ju ndaj kësaj situate?
Niko gjatë qëndrimit në shtëpi nuk ka shfaqur nota agresiviteti, pasi ai siç e thashë e mori të mirëqenë rrezikun. Përkundrazi pas dy javësh karantinë unë si Drejtoreshë Ekzekutive të Klubit Kombëtar të Prindërve me fëmijë me spektër të autizmit, në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Policinë e Shtetit bëra një kërkesë dhe mora një leje të posaçme për fëmijët me aftësi ndryshe për të dalë dy orë në ditë pas fashës së orarit në mënyrë kështu që fëmijët të mund të nxirrnin të gjithë energjitë negative që akumulonin. Niko megjithëse tashmë me leje nuk dilte për shkak të frikës nga COVID-19.
Si ka qenë një ditë në familjen tuaj përgjatë izolimit?, Si ka ndryshuar jeta juaj dhe e familjes tuaj gjatë pandemise?
Të them të drejtën më e vështirë ka qenë për mua dhe vajzën time. Unë kam dalë duke qenë se kam dhe rrolin e nënës dhe kam dalë për të bërë pazaret e shtëpisë. Vajza e kishte më të vështirë pasi kaluan javët e para. Por kemi kënduar kemi kërcyer dhe ja kemi kaluar me të vërtetë mirë. Për fatin tonë të mirë e kaluam shumë mirë karantinën dhe nuk kishim nevojë as për mbështetje psikologjike.
Cilat janë pengesat që keni hasur gjatë pandemisë?
Pengesa më e madhe për mua kanë qenë fëmijët e tjerë me aftësi ndryshe të cilët mendoj se kanë bërë shumë regres në këtë kohë. Nënat u përballën me një situatë që në të vërtetë nuk dinin si ta menaxhonin dhe disa prej tyre ishin edhe në punë e u detyruan kështu edhe ta linin atë, por kishin vështirësi për të menaxhuar fëmijët e tyre e kështu duke çuar në regres.
Përsa i përket djalit tim, Nikos nuk hasëm ndonjë pengesë përvec shkollës mund të them pasi ndryshuan gjërat. Sot e kësaj dite po has vështirësi pasi Niko duhet të kishte një program të posaçëm për tu futur në fakultet por Niko nuk e kiste një të tillë dhe është paraqitur vetëm me përgatitjen që ai kishte në Liceun Artistik.
Cfare sherbimesh do të donit të kishit marrë ndryshe?
Pa diskutim mësuesi ndihmës i cili mendoj që duhet të vinte në shtëpi me veshjen anti COVID, sepse tek fëmijët me aftësi ndryshe nuk funksionon mësimi online. Fëmijët me aftësi ndryshe kanë bërë regres pasi përvecëse i ka munguar shërbimi terpeutik, i ka munguar edhe shërbimi i mësuesve ndihmës. Mendoj që duhet të ishte bërë një grafik dhe duke përshtatur kështu kohën për gjithsecilin që kishte nevojë. Ky është një shërbim që mendoj është i domosdoshëm dhe nëse shkolla vazhdon të funksionoi online, pasi nuk mendoj se të dërguarit me foto të mësimeve ditore është efektive për askënd e jo më për personat me aftësi të vecantë.