Teuta-Partizani do ngre siparin e edicionit të 83-të të Kategorisë Superiore. Sfidë që premton spektakël dhe surpriza të mëdha, me duelin mes durrsakëve dhe të kuqve që vjen edhe me risi, pasi kjo përballje do luhet në orën 19:45 në stadiumin ‘Elbasan Arena”.
Një tjetër risi në këtë sezon është edhe përfshirja e sistemit VAR në Superligë që do të ul edhe shkallën e gabimeve në fushën e blertë. Sa i përket sfidës së sotme, dy ekipet kanë pësuar ndryshime të mëdha në këtë merkato vere, duke përforcuar kontigjentët e tyre. Teuta pritet të zbres me formacionin më të mirë të mundshëm.
Në një taktikë 4-2-3-1, Edi Martini besohet se do hedh në fushë Qirko në portë, Todorovski, Selmani, Ivanovic e Xhekson në mbrojtje, Aleksi e Daja në mesin e fushës, ndërsa Vila, Kallaku e Plaku do jenë në mbështetje të sulmuesit të vetëm Gjorgiev.
Në krahun tjetër, trajneri Ilir Daja do rreshtojë Partizanin në një 4-3-3. Hoxha konfirmohet në portë, teksa një fanellë titullari pritet t’i besohet Gligorov, Belica, Damçevski, Musta, Rrapaj, Murataj, Herald Marku, Cara, Zhunior dhe Kardozo.