Zyrat e Google nuk do të jenë të njëjtat pas rikthimit të punonjësve në to. Google ishte një nga kompanitë e para të mëdha të teknologjisë që njoftoi se punonjësit mund të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia deri në korrik 2021. Ky rikthim vitin e ardhshëm do të shoqërohet me ndryshime.
CEO i Google, Sundar Pichai, tha këtë javë se kompania po riorganizon hapësirat e saj fizike për të mbështetur më mirë punonjësit në të ardhmen – një e ardhme që Pichai thotë se do të përfshijë “modele hibride” të punës.
“Unë e shoh të ardhmen si përfundimisht më fleksibël”, tha Pichai gjatë një interviste me video për Time 100.
“Ne besojmë fuqimisht se personalisht, të jemi së bashku, të kemi sensin e komunitetit, është jashtëzakonisht e rëndësishme sa herë që duhet të zgjidhim probleme të vështira, duhet të krijojmë diçka të re”, tha ai.
Pichai tha që Google po “rikonfiguron” hapësirat e saj të zyrave për të akomoduar ato që ai i quajti “qendrat aktive” – me sa duket, ditët ku punonjësit, të cilët kryesisht punojnë nga shtëpia, mblidhen në zyrë.
“Qëkur nisi e gjitha kjo, e kuptova se do të ishte një periudhë pasigurie e jashtëzakonshme, kështu që ne donim të mbështeteshim dhe të jepnim siguri atje ku mundeshim”, tha Pichai. “Arsyeja pse ne morëm vendimin për të punuar nga shtëpia deri në mes të vitit të ardhshëm është se kemi kuptuar që njerëzit po përpiqeshin shumë të planifikonin … dhe kjo po ndikonte në produktivitet”.
Pichai tha se marrja e një vendimi kaq afatgjatë e detyroi kompaninë të përqafonte realitetin e tyre të ri: që të punosh nga shtëpia është një realitet i ri me të cilin duhet të mësohemi, të paktën në një farë kapaciteti. Dhe punonjësit duket se janë dakord: një sondazh i fundit i brendshëm në kompani zbuloi se 62% e punonjësve besojnë se duhet të shkojnë në zyrë “disa ditë” në mënyrë që të bëjnë punën e tyre mirë, ndërsa 20% nuk ndiejnë fare të nevojshme të shkojnë në zyrë.
Pichai thotë se Google prej kohësh ka filozofinë që zyra duhet të jetë argëtuese dhe se mosmarrëveshjet duhet të reduktohen kur është e mundur – për arsye produktiviteti, tha ai, por edhe për të përmirësuar jetën personale të punonjësve. T’i detyrosh të qëndrojnë për orë të tëra në një zyrë fizike mund të mos përputhet me këtë filozofi në një botë post-koronavirus.