Në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur”, nipi i Jakup Krasniqit, Dritan Krasniqi, ka folur në lidhje me arrestimin e xhaxhait të tij pak ditë më parë. Ai tha se bastisja e banesës ka zgjatur rreth 10 orë dhe arrestimin etij e kanë përjetuar keq, por nuk la pa përmendur edhe se ndihen krenarë për figurën e tij. Ai shtoi se xhaxhai i tij është intelektual dhe asnjëherë nuk i ka ikur drejtësisë.
Ai u shpreh:
I ka prekur gjithë njerëzit, i ka kaluar përmasat e Prishtinës dhe Kosovës. Përveç dhimbjes na ka bërë që të ndihemi edhe krenarë për atë që përfaqëson Jakup Krasniqi. Ka qenë një befasi. Nuk është pritur një mënyrë e tillë e arrestimit të tij. Krasniqi asnjëherë nuk i ka ikur drejtësisë. Ajo që e ka shqetësuar Jakup Krasniqin ka qenë mënyrë si është arrestuar një personalitet, i cili në natyrën e tij është paqësor. Ka qenë profesor dhe jeta e tij është e njohur nga të gjithë. Emocionet më të rënda i ka përjetuar bashkëshortja dhe vajza. Të nesërmen jemi zgjuar në një situatë të re, me një ngjarje që nuk ka qenë e pritur. Na ka traumatizuar si fakt. Reagimi i familjarëve më pas ka qenë emocional në lidhje me mënyrën si është arrestuar. Në banesë ishte Krasniqi, bashkëshortja vajza dhe 4 fëmijë. Një telefonat e pakëndshme në orën 5 të mëngjesit krijon një gjendje jo të këndshme. Kjo bëhet kundër një personi që njihet si njeri shumë paqësor. Ne nuk e dimë çfarë kërkonin. Ne dimë që kanë marrë disa materiale që kanë gjetur aty, libra. Nuk e dimë çfarë kanë kërkuar. Çështja është ende në proces dhe nuk ka filluar shqyrtimi. Bastisja ka zgjatur shumë orë, deri në orën 5-6 pasdite. Përafërsisht 10 orë. Në momentin që është larguar xhaxhai nga banesa dhe është dërguar në aeroportin e Prishtinës, ato momente kanë qenë jo të mira dhe jo të këndshme. Ndjenjë e keqe dhe emocionale.