Me 25 dhjetor, trupa prestigjioze e Baletit Kombëtar të Kosovës (BKK) u bë pjesë e Mistletoe Cast në shfaqen e mirënjohur amerikane “The Nutshell”. Shfaqja u transmetua nga kompania teatrale e San Fanciskos “Mannakin Theater and Dance” në mbarë botën nëpërmjet një live-stream shumë të ndjekur online në datat 25-26 dhjetor si dhe me 1 dhe 3 janar, 2021.
Me ftesë nga drejtori i Mannakin Theater and Dance në San Francisco, z. Nathan Cottam, Baleti Kombëtar i Kosovës u bë pjesë e video-performancës me titull “The Nutshell!” së bashku me shumë kompani të baletit nga vende të ndryshme si New York City, Kina, Gjermania, Egjipti, Nigeria, San Francisco, etj.
Ky është një festim i një tradite 75-vjeçare e shfaqjes së baletit “Arrëthyesi” (The Nutcracker) i adaptuar në kushte të pandemisë duke performuar në ambient te hapur dhe mbajtje të maskave.
“Video performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës që u transmetua në Amerikë mori shumë komente positive nga publiku amerikan, dhe jo vetëm. Vlerësojmë ftesën nga z. Nathan Cottam, drejtori i Mannakin Theater and Dance, me të cilin trupa jonë e baletit ka patur fatin dhe nderin të bashkëpunojë dhe më përpara në Kosovë. Arti dhe baleti po na mundëson dy vendet tona Kosovë-Sh.B.A. të zhvillojmë shkëmbime miqësore dhe artistike,” tregon Niki Musolli, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Kur isha në Prishtinë, vizitova kompaninë e baletit bashkë me ish-drejtorin Ahmet Brahimaj, i cili më tregoi studion e kompanisë. Ai më tregoi më tepër për ndërprerjen e veprimtarisë së trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës gjatë luftës dhe ishte e qartë që përgjegjësia e egzistencës së kompanisë kishte rënë mbi supet e tij. Unë i propozova idenë për disa bashkëpunime, dhe ai u tregua i gatshëm. Që prej asaj dite e kam mbajtur kartvizitën e tij të biznesit gjithmonë me vete, duke patur në mendje mundësi bashkëpunimi siç i premtova.
Kur fillova versionin filmik të “The Nutshell!” në vitin 2020, menjëherë mora kartvizitën e z. Ahmetit dhe i dërgova një email. Kur nuk mora përgjigje fillova të hulumtoj online dhe me shumë keqardhje mësova për humbjen e jetës së tij. Por u mirprita nga Niki Musolli, i cili menjëherë ai pranoi të vazhdojmë me projektin tonë përpara si ushtryes detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Bashkëpunimi me Niki Musollin ka qenë i shkëlqyer dhe i frytshëm. Ai menjëherë e kuptoi projektin dhe është përgjigjur në mënyrë korrekte dhe të shpejtë. Unë e kuptova vlerën dhe profesionalizmin e Nikit dhe të BKK-së, kur i kërkova atij të shkruajë kontratën e pranimit të bashkëpunimit. Unë pritja që kjo punë do merrte ditë, apo ndoshta dhe mund të mos ndodhte. Më surprizoi Niki Musolli kur brenda orës, e dorëzoi letrën me vulën zyrtare dhe me stampë të BKK-së, të shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Dhe aty mendova, “OK, kam besim te ky djalë”. Filmi që Niki Musolli krijoi me ndihmën e koreografit Mehmet Balkan, është një nga më të fortët në të gjithë programin,” tha Nathan Cottam, drejtor i kompanisë “Mannakin Theater and Dance”.
Trashëgimia kulturore dhe e artit e Ahmet Brahimaj
Figura e mirënjohur dhe e respektuar z. Ahmet Brahimaj ka lënë pas një trashëgimi kulturore, nëpërmjet baletit në Kosovë, që përbën një nga pasuritë artistike të vendit. Dy gjeneratat e balerinëve të BKK-së kanë prezantuar denjësisht imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, duke shërbyer si një dëshmi artistike-kulturore. Për balerinët e shkëlqyer të BKK-së Jeta Musolli dhe Fatmir Smani, meritat i takojnë profesor Ahmet Brahimaj dhe punës së palodhur të trupës së baletit.
“Dashuria e madhe ndaj profesionit, disiplina, përgjegjësia, sakrifica, respekti janë disa nga fjalët që tregojnë më së miri për punën tonë të palodhshme si balerinë në Baletin Kombëtar të Kosovës. Jemi me fat si gjeneratë që përkundër kushteve të vështira e sfidave të ndryshme që ballafaqohemi çdo ditë, me punën e palodhshme dhe përkushtimin që kemi arrijmë suksese dhe përfaqësojmë vendin tonë me dinjitet, dhe për asnjë moment nuk ndalemi! Sigurisht meritat më të larta për të gjitha këto i ka profesori jonë tashmë i ndjerë Ahmet Brahimaj!” tha balerina e Jeta Musolli.
“Gjatë viteve të fundit, Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë pjesë në festivale të ndryshme në vende evropiane ku vleresohet baleti dhe mbizoteron arti si në Austri, Gjermani, Finlandë, Bullgari, etj. Për mua si balerin është kënaqesi e veçantë të përfaqesoj Kosovën permes artit të baletit në këto vende duke marrë parasysh se jemi një vend i vogël dhe në zhvillim. Falë punës së palodhshme të ekipit në BKK dhe bashkëpunimit me koreografë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, Kosova është përfaqësuar gjithmonë me dinjitet dhe në mënyrë profesionale.
Vlen të theksohet pjesëmarrja në Graz ku morrën pjesë personalitete të njohura si Sekretarja e Austrisë për çështjet kulturore, znj. Ulrike Lunacek. Gjithashtu me shfaqjen ‘Recomposed’ (Rikompozim) BKK-ja mori pjesë në qytetin e bukur të Parisit ku për këte arritje ka shkruar edhe gazeta prestigjioze franceze ‘Le Monde’,” theksoi balerini i talentuar Fatmir Smani.
Ndër vite, trupa kombëtare e baletit të Kosovës ka bashkëpunuar me disa koreograf me renome ndërkombëtare. Për balerinën e talentuar Teuta Krasniqi, bashkëpunimi me koreografin e njohur shqiptar Eno Peci për shfaqen “Exil” ka qenë një nga përvojat më mbresëlënëse për të.
“Shfaqja ‘Exil’ ka qenë një ndër eksperiencat më të mira për mua! Të punosh me një balerinë dhe koreograf siç është Eno Peci është nder dhe kënaqësi! Shfaqja Exil është e mbushur me plot lëvizje të bukura e të menduara, të mbushura me plot emocion. Janë lëvizje që mund t’i ndjesh sepse flasin për një të vërtetë! Ne balerinët e perjetuam çdo lëvizje, çdo histori dhe çdo tingull të kësaj shfaqje. Shpresoj që këto emocione t’i kemi përçuar edhe tek publiku sepse kanë buruar nga zemra për të shprehur një të vërtetë me gjuhën që e flasim më së miri – vallëzimi,” tha balerina e BKK-së Teuta Krasniqi.
Shfaqja “Sisters” me koreografi të Mehmet Balkan
Me 24 dhjetor 2020, te Teatri Kombëtar u dha shfaqja e fundit për vitin 2020 e “Sisters” (Motrat) me koreografi nga koreografi i shquar ndërkombëtar Mehmet Balkan. Për balerinin Muhamet Bikliqi shfaqja “Sisters” ishte një realizim që doli me sukses, por që kërkoi akoma më shumë dedikim dhe punë në kushtet e vështira të pandemisë.
“Rikthimi me projektin e shfaqjes ‘Sisters’ pas 7 muajsh pauze të detyrueshme për shkak të pandemisë, ishte një kthesë në dashuri dhe përqafim të profesionit që aq shumë n’a kishte munguar. Procesi i punës në shfaqjen ‘Sisters’ ishte jashtëzakonisht i vështirë, per shkak se krahas përgjegjësisë tonë për shfaqjen, kishim edhe përgjegjësi për t’a ruajtur shëndetin e njeri-tjetrit, duke rrespektuar masat antikovid, që ishte shumë e vështirë per ne si balerin, në veçanti përdorimi i maskës! Por, pas një punë të jashtëzakonshme, me shumë dashuri dhe përkushtim, shfaqja u realizua me sukses në mënyren më të mirë të mundshme dhe jam shumë i lumtur për këtë,” shtoi balerini i BKK-së Muhamet Bikliqi.