Nik Xhelilaj një Winnetou i ri? Në 2016-ën televizioni RTL do të transmetojë prodhimin e ri të filmit klasik sipas librit të Karl-May. Për Deutsche Welle Nik Xhelilaj flet mbi rolin e tij, por edhe për refugjatët nga Shqipëria.
Filmat kinematografikë të viteve 60-të – në rolet kryesore me Lex Barker si Old Shatterhand dhe Pierre Brice si apashin-prijësin Winnetou – gëzojnë statusin kult tek shumë gjermanë. Në prodhimin e ri të RTL-së me regji të Philipp Stölzl Old Schatterhand do të interpretohet nga aktori Wotan Wilke Möhring. Edhe Milan Peschel (si Sam Haëkens), Jürgen Vogel (si Rattler) dhe Mario Adorf (si Santer Senior) luajnë në këtë prodhim.
Rolin kryesor do ta luajë një aktor deri tani jo fort i njohur në Gjermani, 32-vjeçari shqiptar Nik Xhelilaj. Për të gjetur një interpretues të përshtatshëm për prijësin e njohur të apashëve, ekipi i jurisë përzgjedhëse “ka kërkuar pothuajse në mbarë botën”, me këto fjalë citohet regjisori Stölzl nga gazeta “Bild am Sonntag”. “Kjo për faktin, se ne e dinim që gjurmët e Pierre Brice janë mjaft të mëdha.“
XHIRIMET JANË NË KULMIN E TYRE
A ka Nik Xhelilaj shansin, që ta konkurrojë “monumentin-Winnetou” që ka krijuar Pierre Brice? Xhirimet për serialin televiziv, që do të shfaqet në ekran në fund të vitit 2016, po vazhdojnë ndërkohë në Kroaci.
Por çfarë mendon prijësi i ri i apashëve, kryesisht për rolin e tij, por edhe për zhvillime të tjera aktuale, si p.sh. për numrin e madh të refugjatëve që vijnë në Gjermani.
A e njihnit Ju Winnetou, përpara se të shkonit në Casting?
Jo, nuk kam pasur nodnjë afërsi me historitë nga Gjermania dhe ato nga bota western. Kur mora ftesën nga agjencia për Casting, isha paksa i habitur, sepse unë nuk gjeja ndonjë lidhje mes meje dhe karakterit. Por pas Casting për mua gjithçka u bë e qartë.
Përse dhe çfarë ju tërheq tek roli i Winnetou? E gjithë bota western është tërheqëse dhe ka një lloj magjie. Kjo është një sfidë e madhe për një aktor, që të zhvendoset në kohë – pavarësisht faktit, se çfarë karakteri luan. Pasi u njoha me figurën, e kuptova se sa i rëndësishëm është Winnetou për publikun gjerman. Ai është një figurë mjaft komplekse – ndonëse jo reale, por tepër magjike. Të kesh shansin të luash pirjësin e një populli të rrezikuar të zhduket, kjo lidhet me një përgjegjësi të madhe. Fakti që ai është një prijës, edhe kjo më tërheq shumë.
COWBOY APO INDIAN?
A ishte pengesë për ju në Casting fakti, që nuk e njihnit këtë figurë? Jo, sepse në skenar karakteri dhe historia janë shkuar kaq mirë, sa që kjo mua nuk më pengoi aspak – përkundrazi: unë pata avanatazhin që të njoh vetëm atë që është shkruar në skenar. Kësisoj nuk pata rrezik që të konfuzinohem me të tjera informacione. Por pasi u bë e qartë, që unë do të marr rolin, atëherë nisa të bëj hulumtimet e mia e pas kësaj kam parë edhe filmat e vjetër.
Janë flokët tuaj të vërtetë ato që shohim në fotografitë nga seti Winnetou, që ka publikuar RTL? (Qesh) Unë dua, që të besoni se janë flokët e mi. Ndaj është më mirë t’ju them, se po ato janë floktë e mi.
Ju ka pëlqyer kur ishit fëmijë të luanit cowboy dhe Indian? Preferonit më shumë cowboyn apo indianin? Të them të drejtën nuk kam ndonjë kujtim të veçantë nga filmat western nga fëmijëria. Asokohe në Shqipëri këto filma censuroheshin. Ne nuk mund t’i shihnim këto filma. Megjithatë më kujtohen filma të Sergio Leones – dhe për mua në to gjithmonë cowboy ka qenë karakteri i preferuar.
NJË ROL PLOT SFIDA
Kalëroni? Apo iu është dashur ta mësoni këtë? Jo, përpara nuk dija të kalëroja mirë. Mu desh që ta mësoj këtë për rolin, e kjo ka qenë një nga sfidat më të mëdha. Nëse ka diçka që më pëlqen veçanërisht nga ky ky projekt, kjo është marrëdhënia me kalin dhe kalërimi. E kjo është edhe ajo që do ta vija në krye të listës së avantazheve nga ky film. Përpara këtij filmi unë kisha disi frikë nga kalërimi, pasi para dy tre vjetësh kam pasur gjatë xhirimeve të një filmi tjetër një aksident. Qysh atëherë mendoja, se nuk do të ngisja më një kalë. Ndërsa tani mund të kalëroj edhe pa shalë – ashtu si Winnetou.
E si qëndron puna me armët në wilde west? A keni mësuar të qëlloni?
Mu desh ta mësoj këtë, jo vetëm me armë, por edhe me shigjetë si dhe me armë speciale: armët e Winnetous janë shigjeta dhe tomahawk. Ne kemi këtu specialistë që na asistojnë në film për këtë.
Winnetou nuk flet shumë … megjtihatë a iu është dashur ta mësoni gjermanishten? Padyshim! Winnetou ndonëse nuk flet shumë, kur flet ajo çfarë thotë ka shumë peshë. Mua nuk do të më sinkronizojnë, por do të flas vet gjermanisht dhe dialektin indian Lakhota.
Gjurmët që ka lënë Pierre Brice janë të mëdha. Si komportoheni me këtë fakt?
Eshtë e pamundur që një figurë të tillë, siç e ka lënë pas ai të përpiqesh ta imitosh. Madje kjo do të ishte fyese dhe jo profesionale. Ndaj ne kemi në skenar një interpretim krejt tjetër madje edhe të historisë. Kjo është meritë e autorit dhe e regjisorit të filmit.
Xhirimet zhvillohen në Kroaci në vendet, ku janë xhiruar edhe filma të njohur të viteve 60-të …a do të jetë filmi i ri i ngjashëm me atë të vjetrin?
Mund të ketë segmente të caktuara me ngjashmëri, sepse kjo nuk mund të shmanget plotësisht. Ndaj është vendosur që xhirimet për prodhimin e ri të bëhen pikërisht këtu. Por versioni i ri është një vizion tërësisht i ri i interpretimit.
Si është bashkëpunimi juaj me yjet gjerman të kinematografisë si Wotan Wilke Möhring, Fahri Yardim, Jürgen Vogel, Mario Adorf dhe Milan Peschel?
Deri tani kam bashkëpunuar vetëm me Wotan dhe me Jürgen. Eshtë kënaqësi të bashkëpunosh me ta, e veçanërisht me Wotan. Ne jemi bërë shokë shumë të mirë, ashtu si dhe dy karakteret që interpretojmë janë miq në film. Deri tani nuk kam pasur mundësi të njihem me aktorët e tjerë.
Kreshnik, emri juaj do të thotë “hero”. Si Winnetou ju tani luani një hero, por edhe vet në moshën 14-vjeçare ju u bëtë një i tillë, duke braktisur shkollën ushtarake, ku të kishin dërguar prindërit…
Besoj, që largimi nga shkolla ushtarake ishte vendimi i duhur në kohën e duhur. Nuk e di se ç’rrjedhë do të kish marrë jeta ime nëse do të kisha vazhduar atë shkollë.
A jeni një hero në jetën reale? Kjo është një metaforë – në jetën reale unë dua të jetoj mëse normalisht, pa metafora. Por në role, përse jo?
Në Gjermani ju njohin ndoshta nga filmi juaj “Der Albaner” (2010). Atje ju luani shqiptarin Arben, i cili emigron ilegalisht në Gjermani dhe punon si kontrabandist me njerëz, për të fituar para që babai të shlyente borxhet dhe për të paguar për të dashurën shtatzënë… Ajo që do të veçoja më tepër nga karakteri i Arbenit në këtë film është mbajtja e fjalës që ai i kish dhënë së dashurës. Kjo për mua e bën të veçantë dhe është vlera e filmit. Premtimi duhet mbajtur.
Situata e refugjatëve në Europë është aktualisht tema e madhe e ditës. Përse kaq shumë shqiptarë largohen nga vendi i tyre?
Ky është një problem, që ka qenë, është e do të mbetet. Për fat të keq, shumë njerëz në Shqipëri janë ende të pakënaqur, kryesisht në aspektin financiar dhe ekonomik. Pa dashur të thellohem, besoj se ky është shkaku kryesor i largimit. Unë do të dëshiroja që situata të ishte një tjetër – që të vijë një ditë kur shqiptarët të udhëtojnë nëpër botë për kënaqësinë e tyre dhe për të eksploruar. Kjo është një sfidë, që Europa duhet ta zgjidhë me sukses. Sepse Europa duhet dhe i takon ta përballojë këtë sfidë. Nëse do ta lidh këtë me figurën e Winnetous: Europa duhet t’i bëjë ballë kësaj sfide – ashtu si edhe Winnetou u bën ballë sfidave për të shpëtuar popullin e vet.
Për mua mesazhi është i qartë: Ne të gjithë jemi banorët e këtij planeti. Ne duhet ta ndajmë mes nesh atë. Sot është koha kur shqiptarët duan të vijnë në Gjermani. Por nuk i dihet, ndoshta do të vijë një ditë, ku populli gjerman do të dojë të vijë në Shqipëri.
Marrë nga BalkanWeb