Gazetarja e njohur Rudina Xhunga ka mbetur papritur pa emisionin që e realizonte dhe e drejtonte prej 13 vitesh në “Top Channel” dhe vendimi nga bordi i televizionit është marrë teksa ajo po xhironte në terren, ndërsa paralelisht po festonte ditëlindjen e bashkëshortit, ish-diplomatit e zv.ministrit Dritan Hila.
Të paktën kështu rezulton nga postimet e javës së fundit të moderatores në Facebook, e cila pa e ditur se çfarë po ndodhte në Tiranë, nga Përmeti dhe Erseka po punonte për emisionet e ardhshme.
Bashkë me të kanë qenë i shoqi dhe vajza, që siç duket i janë bashkuar ekipit të punës, për shkak se kanë pasur një datë të veçantë për të gëzuar.
Dritan Hila ka pasur ditëlindjen më 29 gusht dhe me këtë rast, Rudina përveçse ka festuar familjarisht, e ka uruar publikisht nëpërmjet një statusi.
“Festojmë ditëlindjen e babit në Përmet dhe ndihmojmë mamin të bëjë punë. Pastaj në Rehovë, i hipim babit kaliqafë, për t’i thënë shuuuuumë urime për ty! Edhe 100 ba, Dritan Hila. Të duam shumë”, shkruan ajo, teksa tregon të fokusuar vajzën mbi qafën e të atit, i cili ka mbushur 49 vjeç.
Paralelisht me statusin, Rudina Xhunga ka publikuar edhe fotografi të tjera nga Përmeti e Erseka, ku bien në sy pozimet e saj me kostume popullore, herë vetëm e herë mes njerëzve atje.
Por ndërsa ajo xhironte dhe festonte atje, në Tiranë bordi po diskutonte mbi mbylljen e emisionit. Burime pranë “Top Channel” bëjnë me dije se mbledhjet për largimin e saj kanë nisur pikërisht në ditën e ditëlindjes së bashkëshortit të Rudinës, të premten më 29 gusht, ndërsa mori trajtën e vendimit të hënën, por vetëm pak njerëz e dinin.
Madje, as Rudina Xhunga nuk ka qenë e informuar dhe ka mbetur e surprizuar nga vendimi, shkaqet e të cilit ende nuk janë zbardhur.
Lajmi është zbuluar të mërkurën në mbrëmje vonë, për të “marrë dhenë” më pas.
Megjithatë, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar se çfarë do të ndodhë me emisionet e xhiruara deri më tani nga Rudina Xhunga dhe se, a do të jetë mundësia për ndonjë emision tjetër të saj në “Top Channel”, apo marrëdhëniet e tyre kanë përfunduar tashmë. Vetë moderatorja nuk ka pranuar të komentojë asgjë, ashtu si edhe bordi.
“Shqip” është emisioni i parë që ka dalë në transmetim në “Top Channel” më 3 maj të vitit 2002.
I hartuar për të qenë një program socio-politik, pronari i ndjerë i televizionit, Dritan Hoxha, ia besoi drejtimin dhe realizimin gazetares më të suksesshme të momentit në këtë lloj profili, Rudina Xhungës, e cila asokohe moderonte programin politik “Dritare” në RTSH. Që në episodin e parë, me një intervistë me kryetarin e opozitës atëherë, Sali Berisha, programi kapi kulme shikueshmërie dhe ndër vite moderatorja ka mbajtur standarde të larta, si për temat, ashtu edhe për të ftuarit.