Lulzim Basha ishte dje i ftuar në rubrikën “Gjysma ime” në emisionin “E diela shqiptare” me bashkëshorten Aurela, ku rrëfeu shumë nga jeta e tij personale.Kryedemokrati na rrëfeu në intervistën me Ardit Gjebrean një pjesë të bukur të rinisë së tij kur luante si DJ në Holandë.
“Unë kisha shumë qejf diskon, kisha dhe kam një shok Richard është gjysmë holandez dhe gjysmë australian dhe ai ishte Dj i vërtetë.Afër kampusit të Fakultetit Juridik, kishte një disko të famshme dhe Richardi ishte mbreti i saj. Sigurisht që ne shkonim, kërcenim në orët e vona, të gjithë ato këngë të bukura që deri para disa vitesh ishin të ndaluara. Mendoj që ajo dashuria për muzikën që më kishte nisur nga “Hit Paresi” të radios italiane, u kthye në një kuriozitet të madh se si funksionon kjo gjëja, kështu që mësova përmes tij,” u shpreh Basha.
Ai na tregoi edhe një moment nga jeta që na preku zemrat të gjithëve për vajzën e tij Dafina, kur kjo e fundit ishte 4-5 vjeç. Kryetari i Partisë Demokratike rrëfeu se disa fjaë të saj i kanë ngelur peng dhe e kanë lënduar.
“Unë mbaj këtë episod me Dafinën kur ka qenë 4 ose 5 vjeç. Po ecnim përdore në bregdet në Qerret, një 4-vjeçare shumë e bukur, bardhoshe, vdisja të kaloja kohë me të. Ne ishim në qeveri dhe duke kaluar na ndalonin njerëzit, pavarësisht se unë përpiqesha të mos na ndalonin dhe i puthnin faqet, që i kishe shumë të mira dhe të ëmbla dhe kjo mërzitet dhe më thotë ba hajde ikim se u mërzita gjithë këta njerëz. I thashë po pse se këta vijnë të të puthin faqet se je kaq e bukur, kaq e mirë, jo tha këta më puthin faqet se ti je i famshëm. Më goditi në zemër,” u shpreh Basha.
Në një pjesë të emisionit kryedemokrati na ka treguar një anë të tij që nuk e dinim. Teksa Ardit Gjebrea performoi krahë Renis Gjokës këngën “Jon” përballë tij dhe Aurelës, Basha është prekur.
“Ky është himn. I them Jonit tënd të jetë me fat sepse nuk ka himne kombëtare që të ngërthejnë kaq shumë emocion se sa ky himn që ka emrin e tij. Asgjë nuk i shpreh më shumë se sa kjo këngë, teksti dhe muzika. Mjafton të dëgjosh këtë këngë dhe ndjen atë dramë të madhe që na shkuli nga trupi mijëra të afërm tanë që nisi eksodin masiv të shqiptarëve drejt Perëndimit. Këtë këngë mos ta këndojmë më thjesht si një këngë vaji, por për të kujtuar sakrificën e shqiptarëve për të qenë krenar,” tha Lulzim Basha në fund duke kujtuar edhe periudhën e vështirë kur emigruan shumë shqiptarë.