Aktualisht, në Top Channel, transmetohet sezoni i tretë i “Përputhen”, që sigurisht ka ngjallur sërish polemika. Së fundmi, në program ka patur hyrje të reja, si vajza dhe djem (Antonia, Samiu, Endri), por ka patur edhe përjashtime (Edi dhe Ada). Ndaj, për të gjitha këto, dhe jo vetëm, autorja Olsa Muhameti ka zhvilluar një “mini-intervistë” me ndjekësit e saj, ku sigurisht pjesa më e madhe e pyetjeve janë për “Për’puthen”.
E pyetur për përjashtimin e Adës dhe Edit, Olsa shkroi se të dy personazhet do t’i mungojnë programit, por rregullat vijnë të parat.
“Rregullat janë rregulla! I kuptuam herën e parë, nuk kishte më kuptim…! Mendoj se nëse konkurrentët takohen jashtë, atëherë çfarë kuptimi ka qëndrimi në program!”.
Megjithatë, ajo ka zbuluar se do të ketë hyrje të reja në program, duke treguar se puntatën e sotme programit do t’i bashkohen dy djemtë e fundit, dhe njëri prej tyre vjen nga Struga, Maqedonia e Veriut, ndërsa të shtunën në, në “Për’puthen Prime”, do të prezantohet edhe një vajzë e re konkurrente.
Sa i përket puntatës “Prime”, autorja ka zbuluar se këtë javë opinionistë do të jenë gazetari Bledi Strakosha, dhe Ana Lleshi, ish-konkurrentja e sezonit të dytë.
Gjithshtu, pasi Olsa tha para pak kohësh se ky mund të ishte viti i fundit që bën “Për’puthen”, shumë prej ndjekësve janë “shqetësuar” se mbase programi nuk do të rikthehet vitin tjetër, dhe këtë Olsa e ka sqaruar sërish.
“Sigurisht që do ketë vitin tjetër”, shkruan ajo.
Një prej ndjekësve, i ka kërkuar që të përshkruajë moderatoren Bora Zemani me tre fjalë, dhe Olsa ka shkruar:
“Me këmbë në tokë, profesioniste, e bukur”.
Ndërsa për Arjanin ka shkruar me humor:
“3 minuta mos i fol kur nxehet. Super opinionist”.
Gjithashtu ajo ka marrë përshëndetje nga shumë shtete të botës, nga ndjekës që shohin “Për’puthen”, dhe është shprehur shumë e lumtur për këtë sukses.