Nga e enjtja të gjithë ne do të jemi me maskë në çdo ambient të hapur apo të mbyllur. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka thënë në një intervistë për Ora News se, përjashtim nga rregulli i ri bëjnë vetëm fëmijët nën 12 vjeç, të cilët nuk janë të detyruar të mbajnë maskën.
“Kur kemi bërë protokollin e maskave kemi konsultuar materialet e fundit të OBSH dhe UNICEF në lidhje me prekjen e fëmijëve nga Koronavirusi. Fëmijët nuk preken nga Koronavirusi aq sa të rriturit. Dhe nuk është ajo që mendohej në fillim se këta nuk preken shumë por e shpërndajnë më shumë se të tjerët, kjo nuk qëndron në studimet e fundit. Pra, nuk janë spredera (shpërndarës) më të mëdhenj se pjesa tjetër e popullatës. Për këtë arsye, ka patur edhe qëndrime kontradiktore se në çfarë moshe duhet ta mbajnë fëmijët maskën dhe disa vende kanë vendosur moshën 6-vjeç. Rekomandimet e fundit janë se, deri në moshën 12 vjeç mund ta mbajë maskën sipas dëshirës.”- tha Rakacolli.