Dëshira dhe ëndrra për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar ka vite që diskutohet mes rrethit të artistëve, aktorëve dhe regjisorëve.
Ikona të skenës dhe kinematografisë shqiptare, personalitete të fushës së artit ndër vite janë shprehur qartë në mbështetje të ndërtimit të një teatri të ri.
Emra të mirënjohur të skenës, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Besa Imami, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi dhe Robert Ndrenika, të pyetur para shumë vitesh janë shprehur në mbështetje të ndërtimit të teatrit të ri.
Aktori legjendar që i dha jetë 180 roleve me personazhe të skalitura në memorien e artëdashësve dhe kinematografisë shqiptare Kadri Roshi, i përlotur është shprehur se një nga ëndrrat e tij më të mëdha është ngritja e një teatri të ri.
“Unë sot jam behar, shumë i qeshur. Po shikoj që do të realizohet një nga ëndrrat më të bukura e jetës sime”, është shprehur aktori i madh, Kadri Roshi.
E cilësuar si “aristokratja” e skenës shqiptare, “Artistja e Merituar”, Drita Pelingu e ka cilësuar ditë të shënuar teksa shumë vite më parë nisën edhe diskutimet për ndërtimin e teatrit.
“Sot për mua është një ditë e shënuar. Mendoj se është nisma e kthimit në realitet të një ëndrre shumë shumë vjeçare të tonën, të të gjithë brezit të ri”, është shprehur Pelingu.
E njohur për publikun si Donika Kastrioti, aktorja e skenës shqiptare, Besa Imami është shprehur se “do të kisha dëshirë edhe unë të isha në kohën e rinisë të kishte ndodh atëherë kjo gjë, por nuk ngjau”.
Violeta Manushi, tipografja që u shndërrua në ikonë e artit shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyera në radhët e korifejve në kinematografi, e ka cilësuar përgjegjësi të madhe për aktorët që të luajnë në një skenë moderne, duke mirëpritur ndërtimin e teatrit të ri.
“Përgjegjësi e madhe për të gjithë brezat që do të kenë mundësi të luajnë në skenë. “Lum ata që do ta gëzojnë teatrin”.
Një ëndërr të kahershme e cilëson aktorja e madhe Margarita Xhepa ndërtimin e një teatri të ri. “Është një ëndërr e hershme e të gjithë brezit të ri edhe e të atyre që nuk janë mes nesh. Kam kënaqësinë që do ta gëzojnë brezi i ri, ndoshta edhe ne”.
“Uroj që të ngrihet një teatër i ri”, është shprehur edhe aktori Mirush Kabashi.
Në skenë prej më shumë se gjysmë shekulli, “Artisti i Popullit” dhe mjeshtri i fjalës Robert Ndrenika, shumë vite më parë ka shprehur besimin për ndërtimin e teatrit të ri.” Besoj, por do nja 10 vjet që të bëhet”, është shprehur Ndrenika vite më parë.
Teatri i ri i cili do të jetë në pronën e vet, do të jetë 6-herë më i madh dhe do të ketë të gjithë teknologjinë moderne që kërkuan artistë, përfshirë edhe skenën ultramoderne me rotativë. Godina e re do të ketë për herë të parë jo një, por disa skena ku artistët do të vënë shfaqjet e tyre para publikut.
z.tosku./ /a.g/