“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.
Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.
Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.
Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.
Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./KultPlus.com