Më duket e trishtë që çdo javë shkruaj një opinion ose analizë për fenomene negative të cilat marketohen me shumë dashamirësi dhe kërshëri në emisione, shkrime, gazeta apo dhe televizione kombëtare. Megjithatë edhe më i trishtë më duket fakti që ky shkrim, besoj dhe të tjera shkrime nga ata që ende e duan njeriun dhe vlerat pozitive shoqërore, do të trajtohet si një sukses, si jehonë e një punë të mrekullueshme të bërë nga autorë, producentë dhe pjesëmarrës të stafit të rastit në fjalë.
Flas për emisionin “Për’puthen”, kësaj radhë për shkak të titullit të përdorur për prezantimin dhe hyrjen e vajzës së re, Sindit, violinistes së talentuar cila fitoi epitetin e “vajzës së virgjër” në titullin e videos për kanalin e YouTube. Vajzat e reja Ana dhe Sindi, zëvendësojnë dy ish-pjesëmarrëset, Fjorelën e cila u largua me dëshirë, dhe Shqipen e cila u penalizua nga produksioni për shkak të gjuhës së dhunës dhe homofobisë së përdorur gjatë programit. Një tjetër “skandal” që ky emision ka prodhuar.
Titulli i përdorur për të prezantuar hyrjen e Sindit është një moment që duhet të na bëjë të reflektojmë, për të kuptuar që jetojmë në një shoqëri në të cilën virgjëria përbën ende lajm, skandal dhe thashetheme, që përkthehen në klikime, biseda, polemika, opinione e analiza. Megjithatë duke e zbërthyer më thellë fenomenin duhet të kuptojmë që në një vend patriarkal dhe mizogjin si Shqipëria, fuqizimi i një produkti shoqëror si virgjëria mund të shkaktojë edhe më shumë dhunë fizike, psikologjikë dhe pabarazi gjinore.
Ngritja në piedestal e konceptit të virgjërisë, ose nxitja dhe propagandimi i saj janë koncepte arkaike që në thelb e zhvlerësojnë dhe përçudnojnë gruan duke kriminalizuar seksualitetin dhe qenien e saj. Pa dashur të analizoj mediet do të ishte e pëlqyeshme që edhe në formatet argëtuese të kishte mesazhe pozitive që lartësojnë vajzat dhe gratë pa zhbërë figurën e tyre.
Klikimet dhe grupmosha e ndjekësve të këtij formati janë elementë të tjerë shumë të rëndësishëm që duhet të krijojnë një përgjegjësi për të mos dhënë mesazhe të deformuara, shumë të rrezikshme për një shoqëri ende shumë të ngurtë dhe shumë tradicionale për të pranuar lirinë seksuale të gruas. Është e trishtë që në shekullin e 21-të ende jemi duke shkruar për virgjërinë dhe për klikimet dhe kuriozitetin dhe rëndësinë që ajo ende ka dhe prodhon.