Nga 1 shtatori 2020 pritet të nisë procesi i fiskalizimit, fillimisht për bizneset me qarkullim vjetor mbi 8 milionë lekë dhe nga 1 janari për subjektet e tjera, ku rreth 80 mijë biznese do të duhet të ndryshojn tërësisht mënyrën se si faturojnë.
Në mbështetje të nisjes të fiskalizimit, u miratua në Fletoren Zyrtare, udhëzimi që përcakton elementet bazë dhe teknike të faturës elektronike që nga emri i tatimpaguesit, datën dhe sasinë e mallit të shitur, si dhe mënyrën e kryerjes të pagesës etj.
Udhëzuesi përcakton se kush do të jenë lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike dhe faturave shoqëruese, procedurën e lëshimit dhe shkëmbimit të faturave elektronike dhe dokumenteve shoqëruese, marrjen dhe dërgimin e mesazheve për faturat elektronike në pamundësi të lëshimit dhe shkëmbimit të faturës elektronike për transaksione pa para në dorë dhe për transaksione me organet publike, në përputhje me ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”
Lëshimi i faturave shoqëruese të fiskalizuara tashmë do të jetë detyrim edhe për transportin e mallrave nga një biznes në tjetrin brenda vendit.
Fatura elektronike sipas Udhëzimit të Financave duhet të jetë në përputhje me standardet shqiptare dhe dokumentacionit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit e Shqipërisë.
Zbatimi i procesit të fiskalizimit do të shtrihet në disa faza, sipas Ministrisë të Financave, ku nga 1 shtator 2020, do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim fitimit me të ardhura vjetore mbi 8 milionë lekë; më 1 janar 2021, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë; më 1 janar 2021, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore deri në 2 milionë lekë; më 1 janar 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike; më 1 korrik 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve.
Elementet bazë të faturës elektronike
Fatura elektronike duhet të përmbajë elementët bazë të mëposhtëm:
a) titullin “Faturë tatimore” specifikohet me kodin e llojit të faturës (në specifikimet e dhëna BT-3);
b) datën (në specifikimet e dhëna BT-2) dhe kohën e lëshimit të faturës (orë, minuta dhe sekonda) (në specifikimet e dhëna BG-1);
c) numrin e faturës (në specifikimet e dhëna BT-1);
d) numrin unik të identifikimit të shitësit (në specifikimet e dhëna BT-29);
e) emrin e tatimpaguesit/emrin dhe mbiemrin e shitësit (në specifikimet e dhëna BT-27);
f) adresën e shitësit (në specifikimet e dhëna BG-5);
g) numrin unik të identifikimit, emrin e tatimpaguesit/emrin, mbiemrin dhe adresën e blerësit. Ky informacion kërkohet vetëm nëse blerësi është: i. tatimpagues, subjekt i tatimit mbi fitimin, i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, ose subjekt i TVSH-së, në përputhje me ligjet përkatëse; ii. një person juridik; iii. një person që blen pasuri personale me vlerë individuale mbi 500,000 lekë; ose në raste të tjera, kur blerësi kërkon që në faturë të vendosen të dhënat e tij identifikuese (në specifikimet të dhënat BT-46, BT-44 dhe BG-8);
h) kodin e operatorit sipas nenit 3, pika “g”, të ligjit, i dhënë në përputhje me nenin 15, të ligjit (në specifikimet e dhëna BG-1);
i) kodin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit sipas nenit 3, pika “ll”, të ligjit, i dhënë në përputhje me nenin 14 të ligjit (në specifikimet e dhëna BG-1);
j) sasinë dhe përshkrimin e mallrave të shitura, dhe përshkrimin e shërbimeve të kryera, çmimin për njësi, pra identifikuesit e artikujve të faturës, kodin e njësisë matëse të shumave të llogaritura (në specifikimet të dhënat BT-126, BT-129, BT-130, BT-146 dhe BT-153);
k) shumën e plotë (në specifikimet të dhënat BT-106 and BT-131);
l) shumën totale për t’u paguar (në specifikimet e dhëna BG-22); m) monedhën dhe kursin e këmbimit nëse shumat në faturë nuk shprehen në monedhën kombëtare shqiptare (lekë) (në specifikimet të dhënat BT-5 dhe BG-1);
n) udhëzimin e pagesës/mënyrën e pagesës (kartëmonedha dhe monedha, karta, çek, transaksion bankar, mandat pagese, para elektronike, pagesa të tjera pa para në dorë) (në specifikimet e dhëna BG-16)
o) Numrin Identifikues të Veçantë të Faturës (NIVF), i shprehur si një shenjë alfanumerike (në specifikimet e dhëna BG-1);
p) Numrin e Sigurisë të Lëshuesit të Faturës (NSLF), i shprehur si një shenjë alfanumerike (në specifikimet e dhëna BG-1); q) etiketën e procesit (në specifikimet e dhëna BT-23);
r) specifikimet e identifikuesit (në specifikimet e dhëna BT-24); s) adresën e postës elektronike të shitësit (në specifikimet e dhëna BT-34);
t) adresën e postës elektronike të blerësit (në specifikimet e dhëna BT-49).
Elemente shtesë për faturat me TVSH:
a) detajet e çmimit, siç janë çmimi për njësi pa TVSH, zbritjet mbi çmimin (në specifikimet e dhëna BG-29);
b) shuma bazë e kategorisë së TVSH-së (në specifikimet e dhëna BT-116);
c) shuma e kategorisë së TVSH-së (në specifikimet e dhëna BT-117);
d) kodi i kategorisë së TVSH-së (në specifikimet e dhëna BT-118); e) kategoria e normës së TVSH-së (në specifikimet e dhëna BT-119);
f) shuma totale e TVSH-së së faturës (në specifikimet e dhëna BT-110);
g) shuma totale e faturës me TVSH (në specifikimet e dhëna BT-112);
h) arsyeja e përjashtimit nga TVSH-ja (në specifikimet të dhënat BT-120 dhe BT-121);
i) kur fatura lëshohet për pagesa të bëra paraprakisht dhe TVSH llogaritet në momentin e marrjes së pagesës dhe e drejta e zbritjes lind në këtë moment, fatura duhet të përmbajë tekstin: “Parapagesë” (në specifikimet e dhëna BT-3=386);
j) nëse një person i tatueshëm, që vepron si blerësi ose klienti, është përgjegjës për pagimin e TVSH-së, fatura përmban tekstin: ‘Auto ngarkesë’ (në specifikimet të dhënat BT-95=AE, BT-102, BT-118 dhe BT-151);
k) në rast të aplikimit të një skeme të veçantë për agjencitë e udhëtimit, fatura duhet të përmbajë tekstin: ‘Skema e Marzhit – Agjentët e udhëtimit’ (në specifikimet të dhënat BT-95=E, BT-102, BT118, BT-120 që përmbajnë tekstin “Skema e marzhit – Agjentët e udhëtimit”, përdorimi i mundshëm i BT-121 që përmban vlera nga lista e arsyeve të përjashtimit të TVSH-së së CEF (VATEX) dhe BT-151);
l) në rast të një prej organizimeve të posaçme të zbatueshme për mallrat e përdorura, veprat e artit, artikujt e koleksionistëve dhe antike, aplikimi i faturës përmban deklaratën: “Skema e marzhit – mallra të përdorura”; “Skema e marzhit – Veprat e artit” ose “Skema e marzhit – Artikujt e koleksioneve dhe antikët” përkatësisht (në specifikimet të dhënat BT-95=E, BT-102, BT-118, BT-120 që përmbajnë tekstin “Skema e marzhit – Agjentët e udhëtimit”, përdorimi i mundshëm i BT-121 që përmban vlera nga lista e arsyeve të përjashtimit të TVSH-së së CEF (VATEX) dhe BT-151);
m) nëse tatimpaguesi është një person që zbaton skemën e marzhit, fatura përmban tekstin: “Shitje që i nënshtrohet skemës së marzhit të fitimit” (në specifikimet e dhëna BG1); n) nëse tatimpaguesi është organizator i shitjes me ankand, fatura përmban tekstin: “Shitje që i nënshtrohet skemës së ankandit” për çdo faturë të lëshuar blerësit në lidhje me shitjen me ankand (në specifikimet e dhëna BG-1).
Kjo faturë do të ketë gjithashtu informacionin e mëposhtëm:
çmimin e shitjes në ankand të mallrave (në specifikimet e dhëna BG-1);
taksat dhe detyrimet, detyrimet doganore, tarifat dhe pagesa të tjera të ngjashme (në specifikimet të dhënat BG-21 dhe BG-23);
shpenzime të rastësishme, siç janë: komisioni, paketimi, transporti dhe kostot e sigurimeve, të ngarkuara nga organizatori për blerësin e mallrave (në specifikimet të dhënat BG-23 dhe BG-25);
ç) në rastin kur “e drejta” deklarohet “Borxh i keq” sipas legjislacionit në fuqi për TVSH-në, një faturë e re lëshohet me tekstin: “Borxhi i keq” dhe, gjithashtu, duhet të përmbajë referencë për NIVF të faturës fillestare me të cilën lidhet (në specifikimet e dhëna BG-1);
d) në rast se bëhet pagesa për faturën që ka tekstin “Borxh i keq” sipas legjislacionit në fuqi për TVSH-në, duhet të lëshohet një faturë e re që duhet të përmbajë tekstin: “Borxhi i keq i paguar” dhe referencë për NIVF-në e faturës së lëshuar më parë me tekstin “Borxhi i keq” (në specifikimet e dhëna BG-1);
q) për të gjithë paguesit e TVSH-së, të përmendur në nenin 153, të ligjit nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, fatura duhet të përmbajë tekstin: “TVSH-ja aplikohet në zbatim të nenit 153, të ligjit nr. 92/2014 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar’” (në specifikimet e dhëna BT-120 ose BG-1).
Detyrimi për të lëshuar fatura shoqëruese
Tatimpaguesit që janë të detyruar të lëshojnë fatura, kur transportojnë mallra nga një njësi biznesi në tjetrën në territorin e Republikës së Shqipërisë pa ndryshuar pronësinë mbi mallrat e transportuara, me qëllim monitorimin e lëvizjes së mallrave në territorin e Republikës e Shqipërisë, janë të detyruar të lëshojnë faturë shoqëruese, sipas nenit 39 të ligjit.
Fatura shoqëruese lëshohet dhe fiskalizohet para transportit të mallrave, në rastin kur nuk ka transferim të pronësisë, pra, për çdo lëvizje të mallrave nga magazina në magazinë, nga magazina në dyqan ose anasjelltas, nga vendi kryesor i biznesit në një degë, nga vendi i prodhimit në magazinë, nga vendi i prodhimit në dyqan.