Një incident ka ndodhur mes televizionit informativ News 24 dhe RadioTelevizionit Shqiptar që menaxhon dhe sinjalin për kanalin e njohur.
Incidenti ka ndodhur gjatë kohës së intervistës së zyrtarit të lartë amerikan Gabriel Escobar ku RTSH fill pas nisjes së intervistës ka ndërprerë sinjalin.
News 24 ka reaguar ashpër për këtë gjë duke u shprehur se janë kryer të gjitha detyrimet ndaj televizionit publik. Përmes deklaratës së News24 lihet të kuptohet se ndërprerja e sinjalit mund të ketë qënë e qëllimshme pasi sinjali është kthyer përsëri në momentin që intervista ka përfunduar.
DEKLARATA E NEWS24
Radio Televizioni Shqiptar ndërpret transmetimit e News24 gjatë kohës së intervistës së zyrtarit të lartë amerikan Gabriel Escobar. Megjithëse janë shlyer të gjitha detyrimet nga ana e News24, RTSH ka ndërprerë transmetimin sapo ka nisur intervista e zv/ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.
RTSH ka ndërprerë sinjalin duke mos lejuar që intervista, ku u fol për situatën në opozitë, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe qëndrimin amerikan ndaj korrupsionit të mbërrinte tek një pjesë e madhe e teleshikuesve.
Sqarojmë se News24, i ka qëndruar strikte kontratës me RTSH, duke paguar të gjitha detyrimet përkatëse, konform cdo norme.
Nga drejtuesit e RTSH u dhanë përgjigje kontradiktore, dhe në fund si arsye zyrtare u tha një defekt teknik në fibrën optike, i cili në mënyrë të çuditshme u rregullua menjëherë pas përfundimit të intervistës.
Për të qenë më pranë publikut, News24 vendosi të ritransmetojë edhe një herë intervistën me zyrtarin amerikan.