Nevila, vajza 20-vjeçare e cila ëndërron të bëhet police, është fituesja e edicionit të shtatë të “Big Brother Albania”. Vajza e rritur në fshatin e fëmijëve SOS, e cila tregoi në këto 100 ditë brenda shtëpisë, se pavarësisht mënyrës sesi jeta ishte sjellë me të, kishte dashuri dhe forcë për ta falur të shkuarën dhe për të ecur përpara, është triumfuesja e këtij “Big Brother”, duke përçuar energji pozitive te shikuesit. Nevila shkoi në finale me Jonën, duke e bërë këtë “Big Brother” të ketë finaliste femra.
Ashtu siç pritej, nata finale e “Big Brother 7”, ka qenë një natë që dukej sikur nuk kishte fund. Emocione, surpriza dhe të papritura kanë shoqëruar spektaklin që u ndoq mbrëmë nga miliona shikues nga ekrani i “Top Channel”. I pari që la shtëpinë e “Big Brother” ishte Arditi. Ai nuk mundi t’i shpëtonte garës përballë Valerit. Dhe vetëm pak minuta pas tij, ishte “vajza e zemrës” ashtu siç e quajti ai Xhulin, e cila la aventurën e saj pa mundur të ishte në treshen e finalistëve të këtij edicioni. I treti që la shtëpinë më të madhe në vend, edhe pse ishte quajtur një pretendent i fortë, ishte Meridiani, duke lënë pas tre finalistët e këtij spektakli, Jonën, Valerin dhe Nevilën. Spektaklit dje nuk i kanë munguar edhe mesazhet sensibilizuese, nisur nga ngjarjet e rënda që kanë ndodhur këto kohë me vrasjen e vajzave. Pasi kanë ndjekur një klip me ngjarjet që kanë tronditur këto kohë shoqërinë, banorët dhe publiku i janë bashkuar fushatës sensibilizuese të ngritur nga “Top Channel” me moton “Kundër vrasjes së vajzave”. Një tjetër bamirësi e bërë nga “Big Brother” ishte realizimi i fondeve për fëmijët e shkollës në fshatin Rripë. Çdo javë, banorët kanë dhuruar 50% të buxhetit të tyre javor për këtë nismë.
Më pas, tre finalistët kanë përjetuar emocione nën surprizat e ofruara nga “Vëllai i Madh”. Jona pati tetë djem të bukur nën këmbët e saj. Djemtë e trupës së baletit të “Top Channel” kërcyen për të. Valeri jetoi një tjetër atmosferë. Bashkëshortja e tij Madalena, hyri brenda shtëpisë, e veshur me kostumin popullor, dhe menjëherë ata nisën të kërcenin nën ritmin e muzikës popullore. Me flamurin e kuq në duar, Valeri dhe e shoqja kërcyen vallen tradicionale të zonës. Sapo muzika mbaroi, filloi menjëherë një muzikë moderne. Katër balerina rrëmbyen Valerin dhe filluan të kërcejnë. Valeri i ndoqi natyrshëm, duke u argëtuar me muzikën. “Të njëjtën gjë kam bërë dhe në ‘Big Brother’, kam qenë sa modern, aq edhe tradicional”, tha Valeri për Arbanën, kur e pyeti se si u ndie mes dy gjinive muzikore. Ndërsa Nevila jetoi një botë përrallash, të ofruar nga animatorët e futur në shtëpi nga “Vëllai i Madh”, duke e çuar tej në kohë.
Valeri ka qenë i katërti që është larguar nga shtëpia, duke lënë dy finalistet e “Big Brother”, Nevilën dhe Jonën. “Duhet të fitonte një vajzë”, tha ai, përballë Arbanës.
Burimi | Gazeta Shqip