Numri i abonentëve në Netflix u rrit në 222 milionë vitin e kaluar. Por kompania e streaming po përballet me një rrugë të vështirë përpara, ndërkohë që vala e interesit, e shfaqur gjatë pandemisë, po zbehet. Në total, Netflix arriti 18.2 milionë abonentë vitin e kaluar – rreth gjysma e numrit të abonentëve në 2020-n. Investitorët kishin shpresuar që ritmi të niste rikuperimin.
Parashikimet e kompanisë për vitin 2022 sollën lajme të këqija, duke shkaktuar rënien e aksioneve me thuajse 20% disa orë më pas. Kompania tha se pret 2.5 milionë abonentë të rinj në tre muaj deri në mars – një shifër shumë më e ulët se parashikimi i analistëve.
“Ndërkohë që qëllimi dhe angazhimi mbeten të shëndetshme, rritja e blerjeve nuk është ripërshpejtuar ende në nivelet para-Covid” – tha Netflix. Netflix, i cili regjistroi 8.3 milionë abonentë në tre muajt e fundit të vitit 2021, pohoi se ka vend për t’u rritur, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po largohen nga televizioni tradicional.
Efekti Disney
Netflix pranoi se konkurrenca e re nga Disney, Apple, Amazon dhe HBO po fillonte të ndihej. “Konsumatorët kanë pasur gjithnjë shumë zgjedhje kur flitet për kohën e argëtimit – një konkurrencë e cila është intensifikuar në 24 muajt e fundit, ndërkohë që kompanitë e argëtimit në të gjithë botën zhvillojnë ofertën e tyre të streaming” – tha kompania.
“Ndërkohë që kjo konkurrencë shtesë mund të ndikojë në rritjen tonë margjinale, ne vijojmë të rritemi në çdo vend dhe rajon, ku janë prezantuar këto alternativa të reja streaming.
Netflix po shpenzon miliarda dollarë në përmbajtje për të ruajtur interesin e ndjekësve. Sukseset në tre muajt e fundit të vitit përfshijnë sezonin e ri të serisë televizive “The Witcher” dhe satirën “Don’t Look Up”, që po bëhet filmi i dytë më i ndjekur i të gjitha kohërave për shoqërinë.
Por kompania, që së fundi ka rritur çmimet në ShBA dhe Kanada, po përballet me rritje të kostove dhe sfida të tjera – vetëm forcimi i dollarit do t’i kushtojë 1 miliard dollarë.
Të ardhurat u rritën me 16% për tetor, nëntor dhe dhjetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 7.7 miliardë dollarë. Fitimet tremujore u rritën me 12% në 607 milionë dollarë. Për vitin, fitimet u rritën nga 2.7 miliardë dollarë në 5.1 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat u rritën me 19%, në 26.7 miliardë dollarë.