Netflix, i pranishëm në më shumë se 190 vende, po përballet me rritjen e konkurrencës së rivalëve të streaming
Gjiganti i streaming, Netflix, ka ulur çmimet në më shumë se 30 vende, për të tërhequr më shumë abonentë. Çmimet janë ulur në Azi, Europë, Amerikën Latine, Afrikën Sub-Sahariane dhe Lindjen e Mesme.
Kjo ndodh në një kohë kur rritja e kostos së jetesës shtyn familjet të kufizojnë shpenzimet dhe Netflix po përballet me konkurrencën e fortë të shërbimeve rivale.
“Kur flitet për argëtimin, klientët nuk kanë pasur kurrë kaq shumë zgjedhje” tha një zëdhënës i kompanisë për BBC.
Ndër vendet ku janë ulur çmimet e abonimeve përfshihen: Malajzia, Indonezia, Tajlanda, Filipinet, Kroacia, Venezuela, Kenia dhe Irani.
Reduktimet do të zbatohen në plane të caktuara tarifore dhe në disa raste, kostot e abonimit përgjysmohen. Kompania nuk deklaroi nëse çmimet do të ulen në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA.
“Jemi gjithnjë në kërkim të mënyrave për të përmirësuar eksperiencën e përdoruesve tanë. Mund të konfirmojë se po azhurnojmë çmimet e planeve tona në disa vende”, – deklaroi një zëdhënës i Netflix.
Netflix, i pranishëm në më shumë se 190 vende, është përballur me rritjen e konkurrencës së rivalëve të streaming, duke përfshirë Amazon, HBO dhe Disney.
Vitin e kaluar, kompania shkurtoi qindra vende pune dhe prezantoi një opsion streaming më pak të kushtueshëm me reklama, duke u përpjekur për të rritur pjesën e saj në tregun gjithnjë e më konkurrues të streaming.
Në janar, bashkëdrejtuesi i përgjithshëm i Netflix, Greg Peters, shpjegoi se si synonte të tërhiqte më shumë abonentë.
“Ne duam ta zgjerojmë spektrin, që t’i shërbejmë një numri më të madh përdoruesish në të gjithë botën dhe t’u ofrojmë vlerën e duhur me çmime të ndryshme”, – deklaroi Peters.
Kompania gjithashtu po godet përdoruesit që ndajnë abonimet e tyre. Në fillim të muajit, Netflix prezantoi kufizime në ndarjen e fjalëkalimeve në shumë vende.
Klientët duhet të paguajnë një kosto shtesë nëse duan që miq apo familjarë, të cilët nuk jetojnë me ta, të ndajnë abonimin e tyre.
/ BBC