Netflix, kompania e famshme amerikane që ofron filma dhe seriale televizive on line, po përballet me disa vështirësi për të shkarkuar Kevin Spacey nga “House of Cards”, seriali ku ai luan rolin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që, për ironi të fatit, humbi vendin e punës në sezonin e fundit. Spacey është larguar nga Netflix pas akuzave të shumta të bëra ndaj aktorit për ngacmime seksuale. Vendimi për të këputur lidhje me aktorin e famshëm e ka bërë shumë të vështirë realizimin e sezonit të gjashtë dhe të fundit të serialit dramatik, me krijuesit që kanë bërë të ditur se po bëjnë “një garë kundër kohës” për ta eliminuar personazhin e tij, Frank Underëood, nga skenari.
Por duket se këto përpjekje mund të jenë të kota. Shtypi amerikan ka zbuluar se në kontratën e Kevin Spacey me Netflix dhe Media Rights Capital nuk është e përfshirë një klauzolë në lidhje me moralin e aktorit dhe, për rrjedhojë, nuk mund të shkarkohet për shkak të akuzave që janë bërë kundrejt tij. Sipas raportimeve, ai mund të shkarkohet vetëm nëse ai nuk vihet në dispozicion për filmimet ose nuk është në gjendje të bëjë punën e tij, dy kushte këto që nuk plotësohen, duke parë se Spacey ka vendosur të kurohet për “vesin” e tij në Arizona. Kështu, nëse Netflix do të vazhdojë xhirimet e sezonit të fundit pa Spacey, ky i fundit do të fitojë një mal me para, si dëmshpërblim.
Por ky problem nuk do të ekzistonte nëse producentët do të vendosnin të hiqnin dorë nga xhirimet. Në një komunikatë për shtyp, Media Capital Rights ka bërë të ditur se: “Ndërsa po vazhdojmë hetimet në lidhje me akuzat e bëra për sjelljen e tij në sheshin e xhirimit të House of Cards, është vendosur që aktori të pezullohet. Përparësia jonë ka qenë gjithmonë që të krijojmë një ambient të shëndetshëm dhe të sigurtë për stafin tonë”.