“Në kurthin e Piter Pan”, një program i fëmijëve dhe për fëmijët, është një formulë e njohur në botë që shumë shpejt do të nisë transmetimet edhe në Tv Klan.
Programi i transmetuar në dhjetëra vende të botës ka rezultuar një sukses i jashtëzakonshëm, jo vetëm për përmbajtjen e formulës, por, mbi të gjitha, sepse të gjithë publikun e mban mbërthyer pas ekranit. Fëmijët, me të gjitha aftësitë e tyre, do të përpiqen të vënë në vështirësi personazhe të njohur e të panjohur, me sinqeritetin e tyre dhe natyrshmërinë e pashoqe, duke e bërë kështu programin një format pa korniza dhe shumë origjinal.
Produksioni me producente Vera Grabockën dhe Alketa Vejsiun ka nisur tashmë nga puna dhe këtë javë nisin audicionet për fëmijët që do të marrin pjesë. I pari do të jetë këtë të enjte, në orën 14 pranë Tv Klan. Lajmërimin e bëri Alketa edhe mbrëmjen e sotme nga skena e DWM, në një mënyrë krejt të pazakontë.
Një grup fëmijësh të vegjël ishin ftuar për të qenë për disa minuta pjesë e skenës së DWM. Mes shumë “konkurrentëve” të vegjël, ata që patën fatin të ishin në skenë këtë mbrëmje ishin pikërisht ata që paralajmëruan atë që do të ndodhë në “Në kurthin e Piter Panit”: pa skenar, pa rregulla, pa emocione, me kërcim, me alegri, me shumë të qeshura.
Skena, për disa minuta ishte e gjitha për ta. Një filloi të qajë, një të kërcente pa fund në skenë, një tjetër mësonte koreografi me Albin, dikush filloi ta kuptonte shpejt ëmbëlsinë e Valbonës, ndërsa tjetri ngacmimet e Bertit. Të gjithë engjëj skene, në pritje të “Piter Panit” të tyre ëndërrimtar.
“Prandaj mezi po e pres këtë program fëmijësh”, – tha Alketa pasi shijoi çdo sekondë me fëmijët në skenë. Sepse ata, të gjithë të rriturit i bëjnë fëmijë.