Këtë javë, një nëndetëse turke u ankorua në brigjet shqiptare për një vizitë tre-ditore. Ky është viti i tretë radhazi që nëndetëse nga Ankaraja qëndrojnë disa ditë në Shqipëri për stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake me forcat shqiptare
Autoriteti Portual i Durrësit njoftoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale se nëndetësja turke “TCG Çanakkale” ka mbërritur në port më 9 mars dhe se qëndrimi treditor i nëndetëses turke vjen në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve mbi shkëmbimin e eksperiencës së përbashkët ndërmjet flotës shqiptare dhe asaj turke. Sipas të dhënave nga zyra e atasheut ushtarak pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, nëndetësja është 62 metra e gjatë dhe ekuipazhi i saj përbehet nga 53 detarë.
Kjo është në fakt hera e katër në pesë vitet e fundit që një nëndetëse turke ankorohet në brigjet shqiptare. Edhe pse është përfolur kryesisht për rritjen e ndikimit politik dhe ekonomik në Shqipëri, Turqia ka rritur ndjeshëm po ashtu edhe prezencë ushtarake në vendin tonë. duke i bërë një nga kontribuesit kryesorë në modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Ankorimi i nëndetëses turke vjen ndërkohë që ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zgjodhi Ankaranë për vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës. Në një njoftim, Ministria e Mbrojtjes thotë se Peleshi zhvilloi një takim me homologun turk Hulusi Akar, më të cilin bisedoi për rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe implementin e një marrëveshjeje për marrjen e granteve ushtarake nga Turqia, të nënshkruar nga paraardhësja e tij, Olta Xhaçka.
“Peleshi i siguroi Akar se vendi ynë mbetet i hapur për investimet e përbashkëta në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe se mirëpresim çdo ofertë serioze nga kompanitë turke në këtë fushë”, njofton ministria e Mbrojtjes. “Ai e falënderoi homologun e tij për mbështetjen që Turqia ia ka dhënë Shqipërisë, jo vetëm në modernizimin e Forcave të Armatosura e Emergjencave Civile, por edhe në arsimimin e ushtarakëve të rinj shqiptarë”, thuhet në njoftim. Vizita zyrtare e ministrit të Mbrojtjes në Ankara, vjen në vijim të vizitës së kryeministrit Rama në fillim të këtij viti, ku u prit me nderime nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan.
Pas marrëveshjeve në fushën e arsimit, infrastrukturës apo tregtisë, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi një vit më parë Marrëveshjen e bashkëpunimit financiar dhe ushtarak mes Ankarasë dhe Tiranës. Kjo marrëveshje ishte e fundit e nënshkruar midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perendimor, dhe sipas analistëve vjen si pjesë e strategjisë së Turqisë për të rritur peshën ushtarake në vendin tonë dhe në rajon.
Sipas Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pakti synonte fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak ndërkohë që Turqia zotohej për të kontribuar në ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Presidenti Erdogan premton dhënien e ndihmës financiare në disa vite, në këmbim të blerjes së armëve dhe mjeteve ushtarake turke.
Si rezultat, në tetor të vitit të kaluar, Shqipëria raportohet se ka blerë sisteme dronësh nga një kompani turke e mbrojtjes me seli në Turqi. Sistemi anti-dron “IHAMAX” i eksportuar në Shqipëri është superior ndaj produkteve të tjera në fushën e tij, peshon rreth 4 kg dhe siguron mbrojtje lineare dhe rrethore deri në 2 km”.
Një tjetër sinjal i rritjes së bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve është edhe fakti që shpesh konsulentë turq marrin pjesë për trajnimin e forcave të armatosura shqiptare.
Mediat greke kanë ngritur alarmin nga ana tjetër se Ankara gjithashtu po përgatitet të zgjerojë objektet e saj në bazën e Pashalimanit në Vlorë. Në protestat e të rinjve kundër vrasjes së Klodian Rashës, policia shqiptare u pa e veshur me uniforma turke.
Sipas njoftimeve të ministrisë së Mbrojtjes, objektet e financuara nga Turqia e fabrikës së municionit në Poliçan dhe bazës detare Bisht Palla në Durrës, të cilat sigurojnë qasje të papenguar në të gjitha anijet e Marinës Turke si pjesë e bashkëpunimit ushtarak dypalësh, janë përmirësuar gjithashtu. Komandot shqiptarë dhe Forca Speciale Ushtarake e Policisë në Zall Herr tashmë kanë zëvendësuar modelet e armëve ruse me armë automatike turke, si M20, MP5, M4A1, MPT-76, etj.
“Bashkëpunimi turko-shqiptar në fushën ushtarake daton nga fundi i viteve 1990, me projekte ushtarake rindërtimi dhe, më e rëndësishmja, me trajnimin e oficerëve të ushtrisë shqiptare në akademitë ushtarake turke, thotë Alban Dafa, një ekspert shqiptar i mbrojtjes në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në një postim në rrjetet sociale. “Turqia ka numrin më të lartë të oficerëve shqiptarë të arsimuar jashtë vendit, krahasuar me oficerët e trajnuar në vendet e tjera të NATO-s si Italia, Greqia dhe SHBA-ja”, thotë ai
Sipas tij marrëveshja e vitit të kaluar nuk do të ishte e parë në sektorin e mbrojtjes midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit, pasi Ankaraja që po shton çdo vit ndikimin politik, financiar dhe kulturor në rajon.
“Turqia hyri në rajon me një qasje të fuqisë së butë”, thotë nga ana tjetër Sencer Gozubenli, një ekspert për Turqinë në Universitetin Abo Akademi në Finlandë, duke përmendur restaurimin e xhamive të epokës osmane dhe monumenteve të tjera historike, si dhe donacionet kulturore dhe ato në fushën e arsimit.
“Megjithatë, vendimmarrësit turq e kuptuan që ndërtimi i një xhamie nuk përbën ndonjë ndikim real politik kur është e nevojshme. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe varësia e një vendi nga Turqia do të krijonte një mekanizëm të vërtetë për ndikim politik.”
Sipas tij, me rritjen e bashkëpunimit ushtarak, Turqia e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë një “autoritet rajonal duke zgjeruar marrëveshjet për blerjen e armëve dhe donacione edhe më të mëdha.
“Turqia ka ambicie të reja në Ballkan për të përmirësuar bashkëpunimin e saj të mbrojtjes përmes donacioneve dhe marrëveshjeve të reja”, tha Gozubenli. “Ankaraja dëshiron të shesë armë të reja dhe të nënshkruajë disa marrëveshje me vendet në rajon për të krijuar një varësi nga produktet e saj.