Publiku është më i interesuar për programe dhe emisione që janë pjesë e aktualitetit të tij, reality, por edhe argëtim.
Kjo është arsyeja që, pavarësisht kostove në rritje, prodhimi në televizion të vijojë të mbështetet fort, sipas Vjollca Dedeit, nga Top Channel.
Edhe në këtë sezon, në ekran do të vijnë programet që janë konsoliduar ndër vite, por nuk do të mungojnë edhe disa të rinj, të cilat rrisin peshën e spektaklit dhe argëtimit.
Tashmë ka nisur zyrtarisht sezoni i ri në televizione. Cilat janë programet bazë të strukturës së programacionit të Top Channel dhe cilat janë ato të reja që i shtohen në këtë sezon?
Në një programacion televiziv, të gjithë programet kanë rëndësinë e tyre, qoftë edhe moti, që zë hapësirë dyminutëshe. Programet tona që kanë audiencën e tyre në vite janë “Wake Up”, Lajmet, “Ftesë në Pesë”, “Fiks Fare”, “Top Story”, “Procesi Sportiv”, “Ftesë në Pesë”, “Hipokrati”, “Gjurmë Shqiptare”, “Top List”, “E Diell”, “Vitrina e Librit”, “Exclusive”, “Portokalli”, “Big Borther VIP”…
Por kjo nuk do të thotë se programet që po pozicionohen shumë mirë në programacionin tonë si “Shqipëria Live”, “Për’puthen”, “Inside Story”, “Goca & Gra”, “Më lër të flas”, “Artkand”, etj., nuk kanë hyrë fuqishëm në tregun shqiptar, me një audiencë të paparë e klikime të jashtëzakonshme.
Natyrisht, si gjithmonë, Top Channel sjell në progamacionin programe të reja si “Dancing with the stars Albania”, një format i suksesshëm në gjithë botën i BBC, “Shqipëria Tjetër”, “Startop”, “S’e luan topi”.
Më duhet ta them që Top Channel e mbështet fuqishëm programacionin e tij në prodhimet vendase, si më të ndjekurat nga shikuesi ynë.
A vini re rritje të kostove të prodhimit në televizione, duke pasur parasysh tendencën e rritjes së çmimeve në çdo aspekt në tregjet globale?
Natyrisht që ka rritje në prodhimet televizive, po me shumë dashuri e me ca ekonomi do t’ia dalim mbanë të mbetemi të suksesshëm në treg.
Cilat janë blerjet e reja sa u takon serialeve dhe filmave dhe a vini re rritje të kostove për sigurimin e tyre?
Sikurse e keni vënë re në transmetim, kemi serialin fitues të çmimit BAFTA “Gangs of London/Bandat e Londrës”, një prodhim kinematografik ku luajnë dhe aktorët shqiptarë Orli dhe Eri Shuke, dhe aktorët shqiptarë të Kosovës, Arta Dobroshi e Florist Bajgora. Sapo kemi nisur prodhimin portugez të SIC, telenovelën “Mali i Yjeve”. Do të vazhdojmë me sezonet e tjera me serialin “Skandal”.
Në tetor hyn në transmetim soap opera “Mbretëresha e Indive” që tashmë po shfaqet dhe në Netflix. Pastaj kemi disa prodhime të Starz si serialin “Spartacus”, serialin “Spanish Princess”, serialin “The White Princess”, serialin “The White Queen”. Në vazhdimësi do të transmetojmë serialin “Defending Jacob”. Në lidhje me kostot jemi munduar të ruajmë të njëjtat çmime.
Çfarë pjese zënë prodhimet e vetë televizionit në raport me ato që janë blerje?
Pjesa më e madhe është prodhim i Top Channel.
A vini re ndryshime në sjelljen e audiencës në lidhje me preferencat në programet që ndjekin në televizion, duke parë edhe feedback-un që merrni nga rrjetet sociale apo platformat si YouTube?
Ne përpiqemi të ndjekim të dyja trendet dhe të punojmë për të dyja trendet e sotme, pasi u takojnë brezave të ndryshëm. Në të dyja rastet, ka funksionuar shumë mirë dhe kjo natyrisht reflektohet në të ardhurat.
Lexo edhe:
Platformat si Netflix, Disney+, Amazone Prime janë bërë konkurrente të forta të televizioneve në botë. Në Shqipëri ka një tendencë drejt Netflix që sërish mbetet e kufizuar. Si po e mbajnë televizionet pranë vetes audiencën, duke pasur parasysh këto zhvillime?
Konkurrenca është. Kjo herë të ndihmon se të bën më luftarak, por ka raste që dhe nuk ia del dot mbanë. Kërkon të blesh një film apo serial të bukur dhe të thonë “është në Netflix, kur të lirohet prej tyre”.
Por ka diçka që përqindja e atyre që kanë dhe shohin Netflix, nuk është aq e madhe. Shumica s’kanë Netflix, s’kanë mundësi në shumë drejtime për ta pasur. Por në rastin tonë, do të përzgjedhësh ato që i shkojnë më shumë audiencës sonë.