“COVID-19 është një rrezik global jo vetëm ndaj shëndetit publik por edhe ndaj të drejtave të njeriut” kështu shprehet Patrick Gaspard në një analizë mbi mënyrën si pandemia po teston limitet e demokracisë.
Raste që verifikojnë këtë tezë përmenden: Kryeministri hungarez Viktor Orban i cili me miratimin e një ligji e forcoi statusin e tij prej “diktatori”, tentativa e qeverisë kineze për të fshehur fillimin e përhapjes së virusit dhe publikimin me vonesë të të dhënave. Edhe Shqipëria është një ndër vende ku ka pasur jo pak zëra kundër masave që politika ka ndërmarrë, të cilat kulmuan me tërheqjen e përkohshme nga neni 8 dhe 11 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.
“Ajo çka e bën të justifikueshme marrjen e këtyre masave është se shpesh ato justifikohen me nevojën për të luftuar pandeminë, megjithëse të mbrojmë shëndetin publik dhe të mbrojmë demokracinë janë dy fronte të ndryshme të së njëjtës betejë” citon Gaspard gjatë analizës së tij.
Protestat në shoqëritë demokratike janë një mënyrë e natyrshme që qytetarët të shprehin veten, të çlirojnë zemërimin dhe të rrisin llogaridhënien e qeverisë.
Në kundërshtim me rregullat e ndërmarra nga qeveritë në luftën ndaj koronavirusit, protesta të shumta kanë shpërthyer në shtete të ndryshme kundër kufizimit të lirive gjatë betejës me virusin vdekjeprurës.