Edhe pse ka 5 javë që transmetohet çdo të shtunë në prime time në Top Channel, formati “Në 1 Javë” që riktheu në ekran prezantuesen Arbana Osmani duket se nuk ka arritur pritshmëritë e stafit duke e spostuar ditën e transmetimit të dielave. Me mbylljen e sezonit të Portokalli mbrëmja e të dielës ka shfaqur nevojën e një programi të po të të njëjtave përmasa. Për të përmirësuar ndoshta edhe shifrat e audiencës, dhe për t’i dhënë zgjidhjen e duhur suksesit të formatit Në 1 Javë është menduar për t’u transferuar nga dita e shtunë në të dielën, një ditë pushimi që mund të përthith edhe më shumë teleshikues përpara ekranit.
Por nga ana tjetër ky ndryshim i skaletës së programit të “Në 1 Javë” përkon edhe me nisjen e edicionit të 5-të të talent show-t The Voice Of Albania, që starton këtë të premte dhe të shtunë në prime time me audicionet e fshehura. Një lëvizje që shumë mund ta kenë interpretuar si një tjetër shpërfillje ndaj prezantueses më të njohur të Top Channel, duke e kaluar sërisht atë në plan të dytë me emisionin e saj dhe duke i dhënë prioritet formatit të drejtuar nga miku i saj Ledion Liço. Midis dy miqëve të ngushtë prej kohësh flitet se mardhënia e tyre nuk është më si në fillim, një përçarje që ka nisur që me dhënien e prezantimit të Big Brother Ledionit dhe pozicionit që ai ka marrë në Top Media që nga lidhja e tij me Sara Hoxhën, një nga trashëgimtaret e gjigandit mediatik shqiptar. Edhe pse të dy prezantuesit në shfaqjet e tyre publike kanë mohuar një hatër mbetje të tillë por duke i lënë gjithmonë hapsirë publikut për të menduar se shoqëria e tyre ka ndryshuar.