ALBtelecom ka reaguar në lidhje me ndryshimin e emrit të kompanisë AMC, duke e bërë Telekom Albania. Në një deklaratë zyrtare nga ALBtelecom theksohet se kjo kompani ka bërë një veprim që është tërësisht i ndaluar bazuar në ligjet tregtare shqiptare në fuqi, dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
Deklaratë nga ALBtelecom
ALBtelecom, i njohur nga Qytetarët Shqiptarë edhe si Albanian Telecom, duke zotëruar edhe emërtesën zyrtare Telekomi Shqiptar përpara privatizimit, është një kompani po aq e vjetër sa Shteti Shqiptar me rrënjë që zgjaten 104 vjet më parë. Ky institucion, në të cilin Shteti Shqiptar edhe sot zotëron 20 përqind të aksioneve, është kthyer në një identet të konceptit të Telekomunikacioneve dhe Teknologjisë në Shqipëri.
Përdorimi i emrit Albanian Telecom nga kompani të tjera sëbashku me të gjitha versionet e mundshme të tij dhe i cilitdo emër që në mënyrë direkte sjell në vëmendje emrin Albanian Telecom dhe përkthimet e tij, është tërësisht i ndaluar bazuar në ligjet tregtare shqiptare në fuqi, dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
Albanian Telekom/Telekomi Shqiptar nuk është vetëm një emër kompanie, por gjithashtu edhe një pronë historike e Shtetit Shqiptar. Fakti që regjistrimi i emrit Telekom Albania, që ngjan identikisht me Albanian Telecom thjesht me një radhitje tjetër të fjalëve, është jo vetëm kundër ligjeve tregtare në fuqi, por edhe kundër kodeve të QKR-së dhe praktikave të Autoritetit të Konkurrencës.
Për arsyet më sipër, është shumë surprizuese për ALBtelecom që të shohë përdorimin zyrtar dhe lançimin e emrit të kësaj kompanie nga një kompani tjetër. Gjithësesi, pavarësisht së më lart, ne ende besojmë se ky nuk është veprim i paramenduar, por një pikë pakujdesie brenda institucionit.
ALBtelecom është gati për të përdorur të gjitha të drejtat ligjore lidhur me këtë çështje, gjithësesi ka besim të plotë se ndryshimet përkatëse do të ndodhin dhe në këtë mënyrë nuk do të ketë nevojë për veprime ligjore.