Sezoni i ri televiziv, i cili nis në shtator, pritet të sjellë një valë ndryshimesh në ekranet shqiptare, me disa emra të njohur që do të mungojnë dhe të tjerë që do të rikthehen në formate të reja.
Pas një vere të mbushur me pushime, ekranet televizive do të mbushen me formate të rinj dhe të njohur, por jo të gjitha fytyrat e zakonshme do të jenë aty. Një nga mungesat e para të konfirmuara është Fjoralba Ponari, e cila pas një sezoni të suksesshëm në moderimin e “Ferma VIP” duket se nuk do të rikthehet për edicionin e ardhshëm. Arsyet e këtij largimi ende nuk dihen, por për momentin ajo është jashtë ekranit, dhe mbetet për t’u parë nëse do të shfaqet në ndonjë format tjetër në të ardhmen.
Një tjetër largim i mundshëm është ai i Arbana Osmanit, e cila ka qenë e lidhur ngushtë me “Big Brother VIP” gjatë dy sezoneve të fundit. Arbana ka lënë të kuptohet se mund të mos jetë prezantuese e “BBV Kosova” siç ishte spekuluar më parë, duke zgjedhur të fokusohet më shumë në biznesin dhe familjen e saj për momentin. Ndërkohë, formatin e “BBV Kosova” pritet ta prezantojnë Jonida Vokshi dhe Alaudin Hamiti.
Roza Lati gjithashtu duket se do të mbetet jashtë ekranit këtë sezon, pas spekulimeve për pjesëmarrjen e saj në “Dancing with the Stars”, i cili është anuluar. Ajo dëshironte të prezantonte një format të vetin, por projekti i saj nuk është miratuar, ndoshta për shkak të ngjashmërisë me programin e Bieta Sulos, me të cilën Roza ka pasur një përplasje publike më herët.
Nga ana tjetër, Kiara Tito ka konfirmuar se do të rikthehet në ekran në shtator, një lajm që ka ngjallur shumë interes mes fansave të saj. Megjithatë, ende nuk dihet se në cilin format do ta shohim, pasi deri më tani nuk është bërë publik asnjë projekt specifik për të.
Një periudhë e trazuar ka qenë edhe për Luanën, e cila pas ndarjes nga partneri i saj dhe mungesës së “Love Island” në programacionin e TV Klan, mund të mos rikthehet në këtë televizion. Aktualisht, zërat sugjerojnë se ajo mund të jetë në bisedime për t’u rikthyer në “Top Media”, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar.
Me këto ndryshime dhe surpriza, sezoni i ri televiziv premton të sjellë dinamika të reja dhe shumë emocion për shikuesit, duke rikthyer në ekran disa nga figurat më të njohura, ndërsa të tjerët do të mungojnë përkohësisht.