Uefa e ka gjobitur Federatën Angleze të Futbollit me 30 mijë euro, pas përdorimit të lazerit ndaj portierit Kasper Schmeichel të Danimarkës, në momentin e ekzekutimit të penalltisë nga Harry Kane.
Në ndeshjen gjysmë finale, pati edhe incidente të tjera, që ndikuan në gjobën e UEFA-as.
Gjatë ekzekutimit të himnit danez, pati brohorima nga tifozët e Anglisë. Në deklaratën e UEFA-as , thuhet se gjoba prej 30 mijë euro ndaj Federatës Angleze të Futbollit, vjen pas përdorimit “të lazerit, trazirave gjatë himneve kombëtare dhe përdorimi i fishekzjarreve”.
Anglia u kualifikua për në finalen e Euro 2020, me rezultatin 2-1 në kohën shtesë, pas një penalltie kontroverse të fituar nga Raheem Sterling. Ditën e nesërme Anglia do të përballet me Italinë në finalen e këtij kompeticioni.