Ndeshja Shqipëri-Angli, por edhe të tjera pas saj në arenën ndërkombëtare janë në rrezik, nëse autoritetet vendore dhe qëndrore nuk marrin masa të shpejta. Është kjo kërkesa e Federatës Shqiptare të Futbollit drejtuar IKMT dhe Inspektoriatit Urbanistik në Bashkinë e Tiranës.
“News24” disponon të plotë letrën e FSHF për të cilën janë vënë në dijeni kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj. Në të theksohet qartë shqetësimi për “zgjerimin e pazakontë të bizneseve në perimetrin e stadiumit ‘Air Albania’, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një problematikë që del përtej zhvillimit të një biznesi, e duke u kthyer në një element penalizues dhe bllokues për funksionin bazë të këtij impianti, organizimin e ndeshjeve të futbollit.
Operatorë të ndryshëm bar-kafe kanë avancuar me ngritjen e strukturave permanente prej hekuri dhe betoni në trotuaret e stadiumit, duke cenuar seriozisht standardet e sigurisë për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, por në fakt, elemente themelore sigurie për çdo organizim ndeshjeje të çdo natyre”, lexohet mes të tjerash në letrën e FSHF.
Kjo e fundit kujton se ndeshja e parë në rrezik është ajo kundër Anglisë më 28 mars, ashtu si dhe të tjerat pas saj përfshirë finalen e parë të Ligës së Konferencës që i është besuar Shqipërisë. Sipas udhëzimeve të UEFA-s, Federata kërkon marrjen e shpejtë të masave për lirimin e ambjenteve.