E gjithë vëmendja e shikuesve u përqendrua mbrëmjen e djeshme në orën 22, në ndjeshjen historike mes Brazilit e Gjermanisë, një gjysmëfinale me shumë emocione, ritëm dhe me një rezultat shikues, ku pancerat mposhtën sellecao-t me rezultatin 7 me 1.
Sipas të dhënave nga kompania e matjes së audiencës, Telemetrix, audienca e televizionit shqiptar, i cili transmetonte live ndeshjen është rritur menjëherë, në momentin që filloi ndjeshja, me një rating mesatar midis 30 dhe 35% (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor).
Pothuajse të gjitha familjet shqiptare kanë ndjekur ndeshjen, me një përqindje fare të vogël, që kanë parë kanalet e tjera, të cilat kanë parë një rating minimal, deri dhe në 1-2%.
Ndërkohë që paneli i Telemetrix përfaqëson vetëm zonat urbane dhe kompania mat audiencë në nivel household, duke lënë të pamatshme një pjesë të mirë të shikuesve, që e kanë parë këtë ndeshje jashtë ambienteve të shtëpisë.
Para fillimit të ndeshjes, shikuesit i kanë qëndruar besnikë telenovelës “Dashuri e Ndaluar” në Tv Klan, me një rating mesatar prej rreth 20%. Më pas, deri në orën 10, ka shënuar shikueshmëri relativisht të lartë dhe telenovela e Vizion Plus, Karadayi, me një rating prej 13-15%.
Metodologjia
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘softëare’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
“Telemetrix” ka krijuar një panel prej 350 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 6 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Berati.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).