Gazetari Blendi Fevziu është një nga figurat publike i cili mendon se godina e Teatrit Kombëtar nuk duhej shembur. I ftuar në “Ora news” Fevziu ka thënë se godina duhej të restaurohej për t’u ruajtur si godinë historike.
“Ideja ime ka qenë që ajo godinë nuk vlente më për Teatrin Kombëtar. Teatrit duhet ti plotësoheshin kushtet për të shkuar në një godinë tjetër dhe godina duhej të restaurohej për tu ruajtur si godinë historike. Restaurimi pastaj mund të kishte debate të ndryshme. Unë kam patur bindjen se kjo nuk ishte një çështje e artistëve. Nuk e di pse u inpostua si çështje e dëshirës ose jo të artistëve. Me apo pa kulla godina ishte objekt i trashëgimisë kulturore. Me kulla pa kulla, me teatër pa teatër në thelb nuk duhet të shembej godina e Teatrit Kombëtar. Unë këtë kam gjënë më të rëndësishme për momentin. Për fatin e keq godina e shemb”, tha Blendi Fevziu.
Gazetari i njohur u shpreh kundër ndërtimit të godinës së re të Teatrit, pasi sipas tij kostoja është e papërballueshme.
“Ndërtimi i teatrit të ri nëse do më pyesni, për mua është një kosto e paimagjinueshme, e pajustifikueshme dhe e panevojshme. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një teatër 30 mln. Për 12 mijë vizitorë në vit që ka teatri me bileta 2 mijë lekë të vjetra dhe mbi të gjitha nuk mund ta bëjë këtë kur kostot e mbajtjes së teatrit sot janë140 mijë euro në vit, ndërsa po të ndërtojë këtë teatër mund të shkojë një natë e hapjes së sallës 20 mijë euro. Nuk është puna vetëm ndërtimi që ka një kosto të lartë, por edhe mirëmbajtja”, vijoi ai.