Vera Zheji, një nga zërat më të njohur dhe të dashur të Radio Tiranës, u nda nga jeta këtë të shtunë në moshën 91-vjeçare. Lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur familjarët e saj.
Zheji filloi karrierën e saj si folëse në moshën 15-vjeçare, kur në shkurt të vitit 1948 nisi të lexonte emisione letrare në Radio Tiranë. Brenda pak kohe, zëri i saj u bë i njohur dhe i dashur në të gjithë Shqipërinë. Me zërin e saj të qartë dhe të sigurt, Vera lexonte emisione të llojeve të ndryshme që nga orët e para të mëngjesit, duke u bërë një figurë e pandashme e radios shqiptare.
Një nga momentet më të paharrueshme për dëgjuesit shqiptarë ishte leximi i përrallave në orën 19:00 gjatë viteve ’70, të cilat Vera i sillte me një stil të veçantë dhe të dashur. Përveç punës së saj në radio, ajo ishte e talentuar edhe në fushën e aktrimit, ku spikati në pjesë teatrore si komedia “Shi në plazh.”
Zheji krijoi dhe prezantoi emisione të ndryshme kulturore dhe letrare si “Bota e përrallave,” “Universiteti popullor i radios,” dhe “Enciklopedia e radios,” duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe edukimin e brezave të tërë.
Pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme, në vitin 1975 Vera Zheji u emërua pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit në Institutin e Lartë të Arteve, ku vazhdoi të kontribuojë deri në daljen në pension në vitin 1988. Ndërsa ndahet nga jeta, kujtimi i saj mbetet i gjallë përmes zërit dhe veprës së saj, që ka lënë një trashëgimi të pasur për kulturën shqiptare.