Një nga themeluesit e gazetës DITA, drejtori i saj Ardian Osoja ka ndërruar jetë natën mes të martës dhe të mërkurës, pas një infarkti në zemër.
Lajmi tragjik është konfirmuar nga familjarët.
Osoja, ishte vetëm 46 vjeç. Vdekja ka ndodhur rreth orës 01.30 pas mesnate në shtëpinë e marrë me qira për pushimet e gushtit në Vlorë ku Ardi ishte bashkë me bashkëshorten Entelën dhe djalin Kristianin.
Ardi është paraqitur në urgjencën e mbingarkuar të Vlorës me shqetësime të shendetit rreth orës 19.00 mbrëmjen e së martës, por e kanë diagnostikuar me probleme stomaku dhe protokolli standart i kontrollit nga të dhënat e para duket i anashkaluar. Ardi merrte prej disa muajsh mjekim për probleme me tensionin.
Trupi është sjellë në Tiranë dje në mesditë, varrimi kryhet sot në orën 11.00 në varrezat e Sharrës.
Ardian Osoja ka qenë një nga drejtuesit më të suksesshëm në infrastrukturën e vështirë të shtypje-shpërndarjes së gazetave në Shqipëri. Ai ka qenë drejtor dhe administrator në të përditshmet Gazeta Shqiptare, Metropol, Panorama, Tirana Observer, Shekulli, si dhe në gazetat sportive Gol dhe Sport Ekspres.
Prej nëntorit 2012, që prej numrit të parë të saj, ishte drejtor i gazetës DITA.
Stafi i Info Media Albania i bashkohet dhimbjes së familjarëve, miqve dhe të afërmve.