Aktori shqiptar me famë ndërkombëtare, Luran Ahmeti ka ndërruar jetë nga COVID-19 pasi ishte i shtruar prej disa ditësh në Klinikën Infektive në Shkup. Aktori nuk ka arritur ta fitojë betejën me virusin e rrezikshëm dhe sot ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 46-vjeçare. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur gazetari Rilind Gërvalla, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku shkruan “Virusi e mori edhe një shok shume te mire e patriot. Luran Ahmeti të jemi borxhli”.
Ai ishte djali i shkrimtarit dhe publicistit Xhabir Ahmeti dhe është i njohur për një sërë shfaqjesh teatrale dhe filmave me metrazh të shkurtër e të gjatë. Së fundmi ai ishte angazhuar edhe në serialet turke, mes të cilave “Lugina e Ujqërve” dhe “Sulejmani i Madhërishëm”, ku ka pasur rolin e Kusret Pashait. Ahmeti është një prej personazheve që ka bërë shumë bujë në fushën e aktrimit, duke arritur të bëhet kështu pjesë e shumë projekteve të njohura filmike dhe teatrore, si ato vendore ashtu edhe në projektet ndërkombëtare. Luran Ahmeti ka luajtur edhe në serialin “O sa mirë”, në të cilin kishte rolin e profesorit të Historisë.