Ndarja nga jeta e Koço Devoles hidhëroi këdo që ka shijuar të paktën 1 herë në jetë artin e tij. Ai ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare pas një beteje të vështirë me COVID-19. Vlerësimet për rolet e tij dhe ngushëllimet u shprehën edhe nga personazhet publikë, të cilat Agron Llakaj i cilësoi si një hipokrizi që i bëhet artistëve.
Ai ishte i ftuar sot në “Ftesë në 5” ku tregoi se është e trishtë që askush nuk kujtohej për të kur ishte gjallë dhe se Koço u nda nga jeta i varfër, teksa jetonte ende në një shtëpi me qera:
“Ai ishte një thesar i humorit shqiptar, thesar dhe iku aq i varfër, është dhimbje. Unë do të thoja që fati i keq i artistëve, sa janë gjallë nuk kujtohet njeri për ta, por kur largohen të gjithë thurin lavde. Një hipokrizi që gjendet kudo. Vlerësojini njerëzit sa janë pranë nesh se sado që themi ne tani, Koço nuk dëgjoi asgjë. Të mos harrojmë që ai u largua i varfër nga kjo botë, në një shtëpi me qira. E bën dyfish dhimbjen më të madhe.”