Këshilli i Agjencisë për Media Elektronike në Mal të Zi mori vendim të shtunën për ndalimin e transmetimit të përmbajtjes programore të Televizionit nga Serbia, TV Happy për gjashtë muaj për shkak të “nxitjes së urrejtjes”.
Agjencia për Media Elektronike (AME) thekson se vendimi është marrë për shkak se në një periudhë kohore në këtë televizion, pikërisht në emisionin “Mirëmëngjesi Serbi” ka pasur përmbajtje programore që ka nxitur urrejtje, intolerancë dhe diskriminim ndaj pjesëtarëve të nacionalitetit malazez.
“Agjencia për Media Elektronike kishte parasysh se përmbajtjet programore përdorin shprehje nënçmuese, fyese ose shqetësuese që nxisin emocione të forta negative, shprehje armiqësie ose dëshirë për diskriminim, si dhe nënçmojnë ose zhvlerësojnë malazezët, duke mohuar kombësinë dhe identitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e AME-s.
AME vlerësoi se në përmbajtjet e përmendura të këtij televizioni janë keqpërdorur të drejtat e lirisë së shprehjes.
“Duke vlerësuar se kjo është një çështje e interesit publik, mbrojtja e së cilës kërkon zbatimin e masave për të parandaluar nxitjen e urrejtjes, AME arriti në përfundimin se është e justifikuar të kufizohet transmetimi i emisionit problematik për një periudhë gjashtëmujore”.
Në Konventën për Televizionin Ndërkufitar thuhet “se të gjitha programet, për sa i përket paraqitjes dhe përmbajtjes, duhet të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat themelore të të tjerëve dhe nuk duhet të theksojnë në mënyrë të papërshtatshme dhunën ose të nxisin intolerancën racore dhe se nuk duhet të përmbajnë asnjë nxitje të urrejtjes bazuar në racë, seks, fe ose kombësi”.
Agjencia për Media Elektronike u nxit për veprimin e saj nga paraqitja e fundit i kryetarit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel në TV Happy ku ofendoi gratë nga Cetina e Malit të Zi.
Fyerjet e Sheshelit shkaktuan reagime të shumta në Mal të Zi si nga partitë politike ashtu edhe nga sektori civil duke paralajmëruar padi ndaj Sheshelit.