Pak javë më parë Policia e Gjilanit njoftoi se është vënë në kërkim të biznesmenit dhe menaxherit të këngëtares Tayna, Rinor Hykollit. Sipas njoftimit të Policisë, Hykolli akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Madje, Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të gjendur të dyshuarin. Pasi lajmi u përhap kudo në media, Rinori reagoi duke thënë se do të paraqitet në Polici sapo të kthehet në Kosovë. Ai ka thënë se ishte paraqitur në Polici dhe ishte lënë i lirë dhe asokohe ndodhej me pushime.
Ndërkohë, sot ai është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Gjilan. “Gazeta Express” ka raportuar se Hykolli bashkë me një person tjetër janë përfshirë në një konflikt me shtetasin L.B., të cilit i ka thyer hundën. Sipas prokurorisë, Hykolli dyshohet se në bashkëpunim me të pandehurin Sh.Xh., pas një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., në pjesë të ndryshme të trupit.
“I dyshuari R.H., në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh. (i cili për këtë rast është ndaluar më 24 Korrik 2021) më 22 Korrik 2021, në diskotekën ‘’Stop’’ në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer hundën, ku për shkak të lëndimeve i njëjti është detyruar të kërkonte tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.