Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me situatën e bllokimit të sinjalit të transmetimit të punimeve në Kuvend nga TVSH, menjëherë pasi kjo e fundit hapi rrugë pas një ore për të gjitha televizionet.
Rama ka dalë kundër vendimit të TVSH, pasi sipas tij transmetimi i sinjalit nuk është ekskluzivitet i televizionit publik, aq më tepër ta shesë atë në këmbim të logos së tij.
“Kjo është një situatë absurde. TVSH nuk mund të ketë ekskluzivitetin e transmetimit sepse nuk jemi në komunizëm. Ligji që i imponon TVSH është një adobtim në kushtet e demokracisë në një situatë komuniste. Këtu fillon dhe mbaron gjithcka. Kërkesa për tua shitur apo imponuar tv private me logon tvsh është dicka që i takon të shkuarës sepse asnjë tv publik a privat nuk mund të ketë këtë ekskluzivitet dhe në kushtete konkurrencës nuk mund ti imponojë logon e tij”, u shpreh Rama, i cili jep zgjidhjen duke thënë se Kuvendi së shpejti do të funksionojë me një regji të sajën.
“Nuk është më e nevojshme që të rreshtohen këtu 25 kameramanë. Kuvendi duhet të ketë një regji të veten dhe më pas ta shpërndajë sinjalin për këdo falas”, tha Rama.