Ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare spikeri i parë i lajmeve në Televizionin Shtetëror Kiço Fotiadhi. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Fotiadhi, gazetar i njohur shqiptar ka dhënë emisionin e parë të lajmeve në historinë e saponisur të Televizionit Shqiptar. Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë me motivacionin: “Protagonist i shquar i ekranit televiziv, promovues i eventeve me rëndësi kombëtare, gazetar i njohur novator”.
Radio Televizion i Shqiptar ditën e nesërme do të zhvillojë homazhe për nder të Kiço Fotiadhit.
KARRIERA
Më 13 mars të vitit 1963 Fotiadhi dha për herë të parë lajmet në studion e parë televizive ku qëndroi deri në vitin 1994. Asokohe ishte vetëm 23 vjeç dhe studionte për aktrim, por thirrja për t’iu përkushtuar televizionit e ndau përfundimisht nga rruga e artit.
Zëri i tij ishte bërë tashmë i dashur nëpërmjet valëve të Radio Tiranës, që atëheherë quhej, Radio Difuzioni, që në 1959 ku ai punonte si bashkëpunëtor.
Gjatë 30 viteve të karrierës së tij gazetareske, ai arriti të hynte në çdo familje shqiptare duke lënë si gjurmë të paharrueshme, zërin dhe portretin e tij.
Burimi | a.n/BalkanWeb