Ka ndërruar jetë mesditën e sotme Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës shqiptare. E ndjera ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 85 vjeçare.
Mimika Luca, cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Ajo u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Monika ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati per talentin dhe për aftësitë e saj fizike.
Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.
Ajo u pranua si aktore e Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar, në vitin 1962.
Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 rrole ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.